Ndërlidhjet

Su Ki takon presidentin Obama


Liderja e opozitës në Birmani, Aung San Su Ki.
Liderja e opozitës në Birmani, Aung San Su Ki.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka takuar privatisht udhëheqësen opozitare të Birmanisë, Aung San Su Ki, në Shtëpinë e Bardhë.

Ky ka qenë takimi i parë i Obamës me laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, e cila ndodhet në një udhëtim 17 ditësh në Shtetet e Bashkuara.

Su Ki po ashtu është nderuar me Medaljen e Artë të Kongresit, të cilën e ka fituar në mungesë më 2008 – gjatë kohës sa ishte nën arrest shtëpiak.

“Nga thellësia e zemrës, falënderoj ju, popullin e Amerikës, dhe ju përfaqësuesit e tyre, që na keni mbajtur në zemrat dhe mendjet tuaja gjatë viteve të errëta, kur liria dhe drejtësia dukeshin përtej mundësive tona”, ka thënë Su Ki.

Liderja e opozitës ka kaluar disa vite nën arrest shtëpiak në Birmani, për shkak se ka kundërshtuar sundimin ushtarak në vend.

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet kundër presidentit të Birmanisë, Tein Sein, dhe kryetarit të Parlamentit, Tura Shue Man. Të dy kanë qenë në listën e zezë nga viti 2007.
XS
SM
MD
LG