Ndërlidhjet

logo-print

Kurzman: “Përplasjet e urrejtjes” nuk përfaqësojnë shoqërinë myslimane


Çarlls Kurcman

Çarlls Kurcman

Çarlls Kurzman, autori i “Martirët e zhdukur”-një libër që vlerëson se minoriteti radikal nuk përfaqëson myslimanët si tërësi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se ajo që po shohim është një “përplasje oportuniste e urrejtjes”.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është i orkestruar dhe i nxitur ky tërbim nga një grup ekstremist dhe sa spontan është ai?

ÇARLLS KURZMAN
Nuk kam informacione të brendshme as mbi krijuesit e filmit e as mbi protestat kundër tij (filmi: “Pafajësia e Myslimanëve”), por si vëzhgues i jashtëm, më duket se i kemi parë tërë këto zhvillime edhe më parë, Dikush thotë ndonjë gjë të egër dhe fyese, të tjerët ndihen të fyer dhe angazhohen në protesta që shndërrohen në ngjarje të dhunshme. Kjo forcon armiqësinë dhe urrejtjen në të dyja anët. Kjo duket aq e trishtueshme sa që jemi të detyruar t’i shohim vazhdimisht të njejtat skena, përderisa shumica prej nesh duan të mos kenë të bëjnë me ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç thatë, këto lloj protestash kanë ndodhur edhe më parë. Disa vëzhgues në rajon kanë thënë se ekstremistët qëndrojnë prapa tyre dhe se janë duke i përdorur ato për interesat e tyre. Pse bien disa myslimanë aq lehtë pre e provokimeve?

ÇARLLS KURZMAN
Mendoj se në të gjitha këto shtete ekzistojnë grupe të vogla që provokohen lehtë. Në fakt, kemi bashkëpunim të budallenjve, njerëzve që përdorin çfarëdo preteksti, çfarëdo urrejtje dhe keqkuptimi për të mobilizuar dhe keqinterpretuar njerëzit e tjerë në botën që ata nuk e pëlqejnë.

Ky përbën vetëm një shembull tjetër. Nuk mendoj se myslimanët janë më të ndjeshëm se të tjerët. Mendoj se, në secilin shtet, ka grupe të vogla të njerëzve që janë të më të ndjeshëm ndaj fyerjeve se të tjerët dhe që organizojnë protesta kur ndihen të sulmuar.

Hidhuni një sy numrave- numrave të protestuesve dhe e shihni që janë relativisht të ulët. Krahasoni këto protesta me ato gjatë Pranverës Arabe; këto janë protesta të vogla por, megjithatë, mbulohen nga mediat ndërkombëtare dhe fitohet përshtypja se janë më të rëndësishme se sa që janë në të vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se kemi të bëjmë me përplasjen e kulturave-përplasjen e civilizimeve. Çfarë mendoni për këtë?

ÇARLLS KURZMAN
Jo, unë e quaj këtë përplasje të urrejtjeve. Shumica e njerëzve nuk urrejnë njëri-tjetrin dhe, megjithatë, këto grupe të vogla që kanë potencial për të urryer duket se janë në gjendje ta fitojnë vëmendjen e çdokujt. Të mos harrojmë se protestat ndaj një fyerje janë të ligjshme në shumicën e shteteve-përfshirë Shtetet e Bashkuara, e nëse njerëzit duan të mbajnë simbole apo të djegin flamujt-ata mund ta bëjnë këtë.

Kjo quhet liria e shprehjes. As mua nuk më pengojnë protestat e organizuara kundër një filmi. Mendoj se kjo është shenjë e pjesëmarrjes politike. Tani, kur këto protesta shndërrohen në të dhunshme, natyrisht se kemi të bëjmë me krim dhe unë jam kundër kësaj. Por, prodhuesve të këtij filmi do t’u bëhej një dhuratë nëse u jepet rëndësia sikurse që kanë protestat. Kjo dhuratë-nga ekstremistët e njërës palë drejtuar ekstremistëve të palës tjetër, do të vazhdojë të qarkullojë në mesin e ekstremeve.

Por, shumica prej nesh nuk u takojnë këtyre ekstremeve dhe duan vetëm t’i tejkalojnë ato. Kjo është pjesa më e dhimbshme e këtij tregimi: Pjesa dërrmuese mund të ketë mospajtime në aspektin politik apo kulturor por ne nuk e urrejmë njëri-tjetrin. Le të përqëndrohemi në energjinë e mirëkuptimit dhe në kërkimin e paqes e jo në atë të konfliktit.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë ndryshim në kundërpërgjigjen e Perënidmit ndaj reagimeve të tilla? Në rastin e librit të Salman Rushedis “Vargjet Satanike” kundërpërgjigjja e politikanëve dhe autorëve perëndimorë ishte një ndalim i menjëhershëm dhe i fuqishëm i lirisë së shprehjes. Në këtë rast, kundërpërgjigjja kanë qenë më e menaxhuar. A po e shohim një lëshim ndaj ndjeshmërisë së myslimanëve?

ÇARLLS KURZMAN
Të kujtojmë se jemi duke jetuar në një kohë tjetër dhe u bëmë dëshmitarë të protestave në Botën Arabe që vënë në pah një interesim të shtuar për pjesëmarrje politike në Lindjen e Mesme. Mendoj se kemi të drejtë kur themi se mbështesim këto lëvizje dhe se duam të kemi marrëdhënie të mira në të gjthë botën.

Nuk e quaj këtë lëshim. Besoj se në këtë mënyrë po merren parasysh mendimet e ndryshme politike të njerëzve që mund të dallojnë nga ato që kemi individualisht. Ata e kanë të drejtën për të protestuar dhe për të mbajtur simbole nëse rëndësia e këtyre qëndrimeve i shtyn ata ta bëjnë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A përbën kjo që po e shohim një indikacion për rritjen e qëndrimeve anti-perëndimore në rajon?

ÇARLLS KURZMAN
Mendoj se ekziston një dallim këtu. Së pari, këto janë protesta të vogla andaj nuk do t’i merrja si shenjë themelore për mendimin e përgjithshëm të masës. Së dyti, kemi të bëjmë me dy çështje: një shqetësim të shumëpërhapur në Lindjen e Mesme e shumë shtete të tjera në botë mbi fuqinë dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

Ka pasur një varg hulumtimesh që kanë shpërfaqur këto qëndrime. Ky është një qëndrim politik, por jo domosdoshmërish një qëndrim kulturor. Ekzistojnë gjithashtu, siç e dini, ndryshime kulturore. Mendoj se as këto nuk duhet të hidhen poshtë. Por, qëndrimi kryesor në shoqëritë myslimane në botë është toleranca.

Ne e shohim këtë në shumë forma dhe të dhëna, përfshirë hulumtimet dhe rezultatet e zgjedhjeve: lëvizjet, partitë dhe qëndrimet që kërkojnë bashkë-ekzistimin dhe paqen mbizotërojnë ato që janë në favor të dhunës dhe urrejtjes. Andaj, edhe nëse ka disa mospajtime politike ato nuk duhet të interpretohen domosdoshmërish si dhunë.(e.p.)
XS
SM
MD
LG