Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Shkenca prapa fitimit të zgjedhjeve

  • Heather Maher

Barak Obama dhe Mit Romni

Barak Obama dhe Mit Romni


Në librin “Laboratori i fitores: shkenca sekrete e fushatave fituese”, autori Sasha Isenberg, i detajizon shumë teknika të reja, që strategët politikë i përdorin për të zhvilluar një fushatë zgjedhore më të mençur dhe më të fokusuar.

Në këtë kuadër shtrohet pyetja se ku qëndron ndryshimi më i madh në fushatat e tashme në krahasim me ato të mëparshmet, ku thjesht, ideja ishte që të bëhen përpjekje për ta bindur secilin për të votuar për kandidatin e caktuar.

Gjatë dekadës së fundit, mendoj se dy inovacione kryesore kanë hyrë në politikë. Fushatat po i shfrytëzojnë eksperimentet në terren, me ç’rast votuesve u dërgojnë letra dhe u bëjnë thirrje telefonike dhe kandidatët, që mbledhin vota, duke trokitur në derën e ndokujt. Këtë ata janë në gjendje ta bëjnë me të vërtetë në mënyrë shkencore, i masin shkaqet dhe efektet e të gjitha gjërave që bëhen në fushata dhe shpenzojnë para në to”, thotë Sasha Isenberg dhe shton se “njëherësh fushatat i kanë siguruar të gjitha nivelet e reja të të dhënave: ato për mënyrën e juaj të modeleve blerëse dhe të stilit të jetës, që vjen nga bazat e të dhënave komerciale”.

Sipas autorit, ndërmjet këtyre gjërave, ata e zhvillojnë një njohuri psikologjike me më tepër nuanca të votuesit.

Bëhen analiza në kuptimin se çka me të vërtetë e motivon dikë të votoj, pastaj këto gjëra shkojnë edhe më tutje duke shqyrtuar më tepër informacione për atë se ai votues me kë bisedon, për çfarë teme dhe në çfarë mënyre.

Pra, “ka ndodhur një lloj i revolucionit analitik në fushata”, thotë autori Sasha Isenberg.

Por si janë siguruar “të dhënat” individuale për të gjithë votuesit dhe si mblidhen ato dhe klasifikohen nga fushatat politike?

Informatat themelore, ato që ju i shënoni në formularin e regjistrimit për votim, që është publik; emri juaj dhe adresa, zakonisht gjinia juaj, mosha, në disa vende raca ose etniciteti, e pastaj regjistrimi juaj partiak dhe zgjedhjet në të cilat ju keni votuar, sikur për shembull në votimet paraprake partiake”, thotë Sasha Isenberg.

Ai paraqet shembuj se si strategët politikë fillojnë t’i shfrytëzojnë informacionet që vijnë nga sfera komerciale.

Për shembull, kur ju e blini një pajisje dhe me këtë rast përgjigjeni në disa pyetje për të ardhurat shtëpiake, duke thënë se ato janë ndërmjet 50 mijë e deri në 70 mijë dollarë, atëherë ky është një informacion që mund të vendoset në njërën nga bazat e të dhënave.

Po ashtu, të dhënat e tjera publike, siç janë ato për leje të gjuetisë, ose nëse ju keni marrë leje për ndërtim të pishinës në shtëpinë tuaj, dhe informacionet nga regjistrimi i popullësisë për lagjen tuaj, mund të shfrytëzohen nga fushatat për të mësuar për statusin socio-ekonomik, për etnicitet, e të tjera, thotë Isenberg.

Gjendemi para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që mbahen më 6 nëntor.

Pra, disi është e pashmangshme pyetja se kush po bënë punë më të mirë në shfrytëzimin e këtyre të dhënave, fushata e presidentit demokrat Barak Obama, apo ajo e rivalit të tij republikan, Mit Romni?

Fushata Obama është në mënyrë domethënëse para asaj se ku gjendet në këtë moment fushata Romni. Është avantazh i madh kur jeni president dhe zhvilloni fushatë për rizgjedhje. Shumica e fushatave zgjatë 6, 12 ose 18 muaj dhe gjithnjë synoni më tepër. Por kur ju keni fushatë presidenciale për rizgjedhje, ju i keni katër vjet për ta planifikuar buxhetin dhe ju mund të planifikoni një agjendë hulumtimi”, thotë autori Sasha Isenberg. (f. b. )
XS
SM
MD
LG