Ndërlidhjet

Stop privatizimit


Protesta kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Protesta kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike

Qindra qytetarë kanë protestuar të enjten në Prishtinë kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike, përfshirë këtu Postë-Telekomin e Kosovës, Korporatën Energjetike, si dhe likuidimin e Trepçës.

Protestuesit kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të ndërpresin privatizimin e këtyre ndërmarrjeve, pasi që, siç kanë thënë ata, ky privatizim nuk po bëhet në momentin e duhur dhe po e rëndon edhe më tepër gjendjen ekonomike të popullatës së Kosovës.

Kryetari i Këshillit organizativ të protestës, Alush Sejdiu, ka thënë se ndër kërkesat e tyre, është edhe ajo që të rishikohet procesi i privatizimit dhe të shihen efektet e privatizimit.

Sejdiu ka theksuar më pas se kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që të debatohet procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, dhe më pas të gjendet një mënyrë e privatizimit.

Të ndërpritet çdo proces i privatizimit deri në përfundimin e vlerësimit të Komisionit parlamentar për këtë çështje, të ndërpritet çdo procedurë e nisur për likuidimin e Trepçës. Ne presim që këto kërkesa të merren në konsideratë dhe jo që deri më tani askush nuk është marrë me këto kërkesa”, ka theksuar Sejdiu.

Protesta e së enjtes, e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është bërë pas mbledhjes së 63 mijë nënshkrimeve të qytetarëve kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, u është drejtuar protestuesve duke thënë se Qeveria e Kosovës ka anuluar nënshkrimin e kontratës me konsorciumin fitues “Limak&Çalik” të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Pikërisht na gëzon fakti që është ngritur vetëdija që të na kuptojnë se në këto nuk i bëjmë për veten tonë, por i bëjmë për punëtorët, për popullin që jeton në Kosovë. Ata janë të zgjedhurit e popullit dhe ata duhet të kenë përgjegjësinë për këtë popull. Ne mbesim me shpresë se edhe të tjerat marrëveshje nuk do të bëhen pa ne”, ka deklaruar Arifi.

Deklaratat e kreut të BSPK-së, Haxhi Arifi, të cilat ua tha protestuesve, janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të enjten nuk ka qenë i paraparë nënshkrimi i kontratës. Baxhaku ka theksuar se nënshkrimi i kontratës “Limak &Çalik” do të bëhet brenda afatit të paraparë.

Kjo është dezinformata e radhës, të cilën e ka plasuar Haxhi Arifi. Zoti Arifi ka qenë prezent në prezantimin e kompanisë fituese ‘Limak & Çalik’ dhe me atë rast është thënë se afati ligjor për nënshkrimin e kontratës është tre muaj, nga dita e shpalljes së fituesit. Afati i fundit për nënshkrimin e kontratës është data 19 nëntor 2012”, ka sqaruar Baxhaku.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), është bërë në qershor të këtij viti. Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP), ka shpallur konsorciumin “Limak & Çalik” ofertuesin e preferuar. “Limak&Çalik” ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë eurosh.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjatë këtij viti pritet të shpallet kompania fituese për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ndërsa ende nuk ka asnjë vendim për privatizimin apo për likuidimin e kombinatit “Trepça”
XS
SM
MD
LG