Ndërlidhjet

Llogaridhënia, terren i panjohur për politikanët


Kabineti qeveritar (Foto nga arkivi)

Kabineti qeveritar (Foto nga arkivi)

Nuk jam i sigurt nëse ka llogaridhënie të mjaftueshme, theksoi të enjten në Prishtinë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Kllif, duke komentuar përgjegjësinë e politikanëve kosovarë në rastet e korrupsionit.

Në kohën kur janë shtuar zërat që flasin për mungesë të kësaj llogaridhënieje në Kosovë, diplomati britanik tha se ka parë pak raste të dorëheqjes në rastet e shpërfaqjes së ekzistimit të korrupsionit në nivele të ndryshme institucionale të vendit.



Klif theksoi rëndësinë për zbatimin e ligjit si pjesë të obligimeve të autoriteteve kosovare në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian.

“Jo shumë. Mendoj se ka shumë ligje të mira-ekziston një ligj shumë i mirë për tenderimin, por realiteti është se ato nuk zbatohen si duhet. Mendoj se zbatimi është qenësor nëse Kosova dëshiron të ketë sukses në aspiratat e saj evropiane”.

“Ajo, në të cilën BE-ja është e interesuar; në të cilën shteti im si anëtar i BE-së është i interesuar, nuk janë ato që janë të shkruara në letra, por zbatimi. Çfarë bëjnë njerëzit? Kjo është pyetja e vërtetë”.

“Të jem i sinqertë nuk kam parë ministra apo udhëheqës të departamenteve të rëndësishme në Qeveri duke marrë përgjegjësi përmes dorëheqjes kur diçka nuk shkon si duhet. Pra, sinqerisht nuk jam i sigurt se ka mjaft llogaridhënie”,
tha diplomati britanik, duke theksuar se një nga arsyet në mungesën e llogaridhënies janë akuzat e ndërsjella ndërmjet zyrtarëve lidhur me korrupsionin.

Këto, sipas ambasadorit Kllif, shkaktojnë paqartësi në identifikimin e personave vërtet të korruptuar. Nga ana tjetër, për analistët politikë, politika e Kosovës është politikë partikulare dhe jo llogaridhënëse ndaj qytetarëve.

Analisti Halil Matoshi tha për Radion Evropa e Lirë se në rend të parë kjo ndodh për shkak të koncepteve të vjetra politike në vendin tonë, por edhe në Ballkan.

Halil Matoshi

Halil Matoshi

“Edhe për shkak se vetë partitë politike që derivojnë pushtetin nuk janë transparente dhe nuk janë demokratike. Edhe aty vendoset pa ndonjë normë ose rregull demokratik, prandaj politikanët aktualë edhe në vendin tonë nuk kanë një etikë të pushteti, nuk i përgjigjen askujt, veç liderit ose shefit të partisë”, vlerësoi Matoshi.

Sipas Matoshit, llogaridhënia mungon vazhdimisht në të gjitha institucionet. Ai tha se rregullat demokratike vlenin për të gjithë njësoj, por në Kosovë është ndryshe nga vendet e tjera, ku qytetarët mashtrohen deri sa t’u merret vota.

“Në Kosovë ka shumë vulentarizëm, ka shumë mashtrime që i bëhen publikut vetëm për t’ia marrë votën dhe premtimet ose fjala nuk mbahet asnjëherë, sepse politikanët, ju keni rastin t’i dëgjoni që gjatë fushatave zgjedhore japin shumë premtime marramendëse, ndërkaq gjatë ushtrimit të pushtetit, objektivisht pothuajse asnjë nga premtimet e tyre nuk i mbajnë. Për këtë ende nuk ka një vetëdije të lartë se vetë votuesi duhet t’i ndëshkojë ata duke mos u votuar në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Matoshi.

Ndryshe, në përfundim të mandatit të tij në krye të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, pati vlerësuar se Kosovës i duhen politikanë vendorë më të përgjegjshëm, që qeverisjen e bazojnë mbi standardet e etikës.

Feith kishte theksuar, po ashtu, se politikanët duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi, për shkak se marrin besimin nga votuesit. Sipas tij, ata duhet të kenë përgjegjësi për ruajtjen e standardeve të veprimit të pastër dhe moralisht të pranueshëm.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG