Ndërlidhjet

Virusi i Nilit Perëndimor: S’ka nevojë për panik


Dezinsektimi

Dezinsektimi

Virusi i Nilit Perëndimor, jo vetëm që ka arritur në Kosovë, por tashmë ka marrë jetën e një personi.

Siç kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore, një grua 50-vjeçare të mërkurën ka humbur jetë, si pasojë e pickimit nga mushkonja.

Ndërsa, për dy raste të tjera që ishte dyshuar të jenë prekur me virusin e Nilit Perëndimor, që kanë qenë të hospitalizuara në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas marrjes së mostrave adekuate, është rezultuar se nuk janë prekur nga ky virus.

Këtë e ka konfirmuar për Radion e Evropa e Lirë, Teuta Doda- Ejupi, zëvendësdrejtoreshë në Klinikën Infektive.

“Ajo ka vdekur pasi është konstatuar se është prekur nga virusi i Nilit, ndërsa tashmë në klinikë nuk kemi asnjë rast të prekur nga ky virus”, ka thënë Doda-Ejupi.

Virusi i Nilit Perëndimor, përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri.

Mushkonjat e infektuara janë ato që rriten dhe shtohen sidomos në vendet ku ka pellgje me ujëra amull.

Naser Ramadani, nga Instituti i Kombëtar i Shëndetit Publik, ka treguar se virusi mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me flamën, por në raste ekstreme mund të rezultojë me temperaturë, gjendje kome e simptoma të tjera.

Sëmundja mund të shfaqet te njerëzit e secilës moshë, ka thënë Ramadani, mirëpo njerëzit mbi moshën 50-vjeçare dhe personat me imunitet të dobët janë në rrezik të madh që të sëmuren rëndë pas infektimit me këtë virus.

“Infektimi me virusin e Nilit Perëndimor mund të jetë asimptomatik, pa simptoma, te rreth 80 për qind të njerëzit të infektuar. Ose mund të çojë në ethe të Nilit Perëndimor ose në sëmundje të rënda të Nilit Perëndimor”.

“Nga këto raste, vetëm te 20 për qind e njerëzve të infektuar mund të zhvillohen simptoma klinike , e këto simptoma pastaj ndahen me temperaturë, me dhembje koke, lodhje, dhembje trupi, nganjëherë me të përziera, vjellje, skuqje të lëkurës dhe ënjtje të gjëndrave limfatike. Pra, më shumë i ngjajnë gjendjes gripoze”, ka shpjeguar Ramadani.

Naser Ramadani u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes, edhe pse nuk ka vend për panik. Instituti Kombëtar, ka thënë ai, në vazhdimësi është në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit, ku ka shtuar masat parandaluese.

“Ne kemi marrë masa adekuate që më shumë janë porosi edukative dhe që fokusohen në zvogëlimin e rrezikut ndaj bartjes përmes mushkonjave”.

“Angazhimi për parandalim të transmisioneve pas saj, fokusohet së pari në mbrojtje personale, do të thotë në përdorimin e rrjetave, të refelenteve të rrobave të lehta me mëngë të gjata, në shmangiet e aktiviteteve të jashtme në kohën e pickimit në mbrëmje, sidomos herët në mëngjes”,
ka theksuar Ramadani.

Virusi Nili Perëndimor (NP) së pari ishte zbuluar në Ugandë në vitin 1937. Ai bartet nga zogjtë dhe te njerëzit përhapet nga mushkonjat.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG