Ndërlidhjet

Economist: A do të luftojnë Japonia dhe Kina?


Vendet e Azisë saktësisht nuk e shohin botën me prizmin e grimcave të rërës, por ato e kanë identifikuar një kërcënim të zymtë për interesat kombëtare, nga disa të dalura të tokës në një cekëtinë, të shpërndara në brigjet e tyre, shkruan në fillim të artikullit javorja Economist.

Këtë verë është parë një varg i mosmarrëveshjeve detare ku përfshiheshin Kina, Japonia, Koreja Jugore, Vietnami, Tajvani dhe Filipinet.

Këtë javë ka pasur trazira anti-japoneze në qytetet në mbarë Kinën, për shkak të mospajtimit lidhur me një grup të ishujve të pabanuar, të njohur në Japoni si Senkakus, ndërsa në Kinë si Diaoyus.

Kompanitë Tojota dhe Honda i kanë mbyllur fabrikat e veta. Për shkak të retorikës së nxehtë nga të dy palët, një gazetë kineze, në mënyrë të dobishme, ka sugjeruar që të anashkalohet diplomacia e kotë dhe të lëvizet drejtë e në kursin kryesor, duke ia hedhur Japonisë një bombë atomike, shkruan Economist.

Kjo, faleminderit prej Zotit, është një hiperbolë groteske: qeveria në Pekin vazhdon me përpjekje për ta kapërcyer mospajtimin, e vetëdijshme se interesi ekonomik e mbanë paqen.

Çdo gjë duket shumë racionale, derisa në momentin kur ju ta keni parasysh historinë, veçanërisht paralelen ndërmjet rritjes së Kinës dhe Gjermanisë perandorake, më shumë se para një shekulli.

Nëse kthehemi prapa në atë kohë, askush në Evropë nuk kishte interes ekonomik në konflikt. Por, Gjermania ndjente se bota ishte shumë e ngadalshme për t’i bërë vend rritjes së fuqisë së saj dhe pasionet e ashpra dhe irracionale, siç është nacionalizmi, patën zënë vend, shkruan javorja Economist.

Kina është përsëri në ngritje, pas asaj që ajo e sheh si 150 vjet të keqtrajtimit, të rrethuar nga fqinjët shqetësues, shumica prej tyre aleatë të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kontekst, mospajtimet për një grumbull gurësh mund ta ketë atë rëndësi sikur e ka vrasja e një Duke, shkruan Economist.

Optimistët theksojnë se mospajtimet e fundit, kryesisht, janë pjesë e teatrit politik, produkt i zgjedhjeve në Japoni dhe e tranzicionit të udhëheqjes në Kinë.

Mospajtimi për ishujt Senkakus ka vluar tash pasi qeveria e Japonisë po i blenë disa nga ishujt nga pronari privat japonez.

Kina duket se ishte e ofenduar. E ka forcuar pretendimin e saj dhe disa herë ka dërguar anije patrulluese për t’i shkelur ujërat japoneze.

Kjo e ka forcuar imazhin e liderit, pak kohë para se Ksi Jinping, ta marrë pozitën e re, shkruan, pos tjerash, javorja Economist.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG