Ndërlidhjet

logo-print
Lufta kundër kontrabandës vazhdon të jetë sfidë për Doganat e Kosovës. Përfaqësues të këtij mekanizimi, thonë se ndonëse ka shënuar rënie niveli i kësaj dukurie, ende vazhdon të jetë i pranishëm në pjesën veriore në kufirin e ashtuquajtur Vija e Gjelbër.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kanë arritur ta luftojnë në masë të madhe kontrabandën në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë, ende ka mallra kontrabandë që hyjnë nga veriu i vendit.

Naim Huruglica

Naim Huruglica

Në realitet, ka kontrabandë. Përmes rrugëve ilegale ka në masë më të vogël. Pas vendosjes së doganierëve dhe zyrtarëve policorë në pikat kufitare, nga 25 korriku i vitit të kaluar nuk ka kontrabandë përmes dy pikave, por vazhdon të jetë në një masë më të vogël prezent përmes kufirit që ne e quajmë Kufiri i gjelbër”, thotë Huruglica.

Huruglica thekson se është vështirë për të bërë një vlerësim të saktë se sa është kontrabanda, por, siç thekson ai, doganierët, në bashkëpunim me policinë e Kosovës, çdo ditë ndalin qytetarë të ndryshëm, të cilët tentojnë t’i fusin në treg ato mallra të kontrabanduara.



Nga pjesa veriore e Kosovës, sipas Huruglicës, vazhdon kontrabanda me naftë e benzinë dhe barna të ndryshme.

“Fakti që për çdo vit kemi të hyra më të mëdha sesa rritja reale e ekonomisë në kuptimin e bruto-produktit, konsumit dhe investimeve, është një indikacion se ne jemi të suksesshëm në luftimin e kontrabandës”.

“Po ashtu, marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë arritur me një numër të shteteve që janë partnerë tregtarë të Kosovës, na mundësojnë që të kemi një informacion se çfarë janë vlerat e mallrave që vijnë në drejtim të Kosovës. Të gjitha analizat tregojnë se është arritur të zvogëlohet niveli i kontrabandës, por jo qind për qind”, deklaron Huruglica.

Humbjet që mund t’i ketë shteti i Kosovës nga kontrabanda, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, nuk mund të jenë më shumë se 5 për qind.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë vlerësojnë se në vazhdimësi bizneset, të cilat janë legale dhe i kontribuojnë buxhetit të Kosovës, janë ankuar se joformaliteti i lartë në pjesën veriore të Kosovës i ka dëmtuar.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, thotë se kontrabanda për më shumë se 13 vjet nuk ka arritur të ndalohet.

“Aty ku janë dëmtuar bizneset, qoftë nga kontrabanda apo krimi i organizuar, ka të bëjë me produktet si karburantet dhe duhani. Për shkak se akciza për këto dy produkte është më e larta edhe shtyrja është më e madhe për këto produkte që të kontrabandohen, sidomos në pjesën veriore”, thekson Demi.

Nëse një vend nuk e ka sundimin e ligjit si duhet dhe vendos të rrisë akcizën më shumë se sa vendet fqinje, rrezikon që të rrisë kontrabandën, shton Demi.

“Ne nuk e dimë sa biznese janë të paregjistruara, çfarë mallrash hyjnë në treg. Dhe, kjo përveç që e dëmton konkurrencën, e dëmton edhe kualitetin e ushqimeve. Ne nuk dimë nëse ato mallra që hyjnë kontrabandë, i nënshtrohen verifikimit fito-sanitar, dhe kjo përveç që paraqet problem ekonomik, po rrezikon edhe popullatën”, sqaron Demi.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: TVSH-në në import, taksën doganore dhe akcizën.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG