Ndërlidhjet

Ligji për forcat e sigurisë: Partitë shqiptare s’heqin dorë


Ilustrim

Ilustrim

Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e së enjtes ka konstatuar se dallimet ndërmjet partnerëve të koalicionit për Ligjin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë, mbeten edhe më tej, por këto dallime nuk duhet të shkaktojnë bllokadë të punës së institucioneve të rëndësishme për qytetarët dhe agjendën evropiane, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, konkluzat nga mbledhja e mbrëmshme, zëdhënësi i partisë Bujar Osmani.

“Kryesia qendrore e BDI-së i jep mbështetje të plotë Grupit parlamentar të BDI-së, në punën e tyre për të parandaluar miratimin e një ligji përzgjedhës, megjithëse konstaton se mbeten dallimet esenciale ndërmjet partnerëve sa i takon ligjit. Por, duhet të bëhen përpjekje që këto dallime të mos reflektojnë në sferat e tjera të shoqërisë, në bllokimin e institucioneve, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin normal të qytetarëve dhe realizimin e agjendës evropiane”, ka bërë të ditur Osmani.

I pyetur nëse kjo do të thotë që BDI-ja heq dorë të braktisë Qeverinë, në rast se ligji për ish-forcat shtetërore të sigurimit nuk arrin të bllokohet në Parlament, Osmani ka thënë:

“Gjithmonë kërkojmë që të hiqet nga vokabulari shprehja ‘dalja’ e partive politike nga Qeveria, ngase në një mënyrë nënçmohen shqiptarët, sepse asnjëherë nuk diskutohet për daljen e subjektit maqedonas nga Qeveria”.

“Sidoqoftë ne jemi të përcaktuar që të realizojmë vullnetin politik të shqiptarëve në institucione stabile të shtetit, por e përsëris se njëkohësisht mbetemi në qëndrimin se ne si subjekt politik nuk do të lejojmë miratimin e një ligji selektiv siç është ai i ish-forcave shtetërore të sigurimit”.

Ndërkohë, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se thellimi i krizës parlamentare mund të paraqesë rrezik serioz për të ardhmen e vendit.

Njohësi i rrethanave politike, Arsim Zekolli, thotë se kriza parlamentare është e inskenuar nga vetë partnerët e koalicionit qeverisës, për të përfituar pikë politike para zgjedhjeve vendore që duhet të realizohen në mars.

“Kjo krizë, në mënyrë tinëzare përdoret që të promovohet zoti Ahmeti dhe zoti Gruevski, si liderë popullorë në të dy grupet etnike. Opozita është plotësisht jashtë spektrit politik, thënë kushtimisht, dhe krijohet përshtypje se është vënë në komandë të dy liderëve partiako-etnik që e përbëjnë koalicionin qeverisës”.

“Më duhet të theksoj se unë nuk shoh ndonjë arsye pse do t’u pengonte kjo gjendje dy partive kyçe në vend, sepse prej kësaj situate ata përfitojnë, ngase e amortizojnë dhe e kontrollojnë diskursin politik dhe njëherësh e përqendrojnë në çështje që mund të zgjidhen vetëm nëse kihet vullnet politik nga të dyja palët që mund të gjendet edhe përmes presionit të faktorit ndërkombëtar”, vlerëson Zekolli.

Sipas tij kjo gjendje do të vazhdojë deri në mars, kur Maqedonia do të futet në proces zgjedhor.

Nga ana tjetër, Vlladimir Misev, nga Instituti për Demokraci në Shkup, thotë se gjendja aktuale në Parlament, pasqyron situatën reale në shtet sa i përket raporteve ndëretnike, që, sipas hulumtimeve të fundit të institutit, në vazhdimësi përkeqësohen.

Megjithatë, Misev konsideron se partitë politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës për të shpëtuar qeverisjen e përbashkët, do të arrijnë ndonjë zgjidhje “solomone”, për të dalë nga kjo situatë.

“Ndaj bindjen se nuk ka ndonjë potencial brenda në shtet për ndonjë incident më serioz ndëretnik, ngase është evidente se edhe partitë politike synojnë që ta qetësojnë situatën, ndërkohë që e nxitën të njëjtën”, shprehet Misev.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG