Ndërlidhjet

Gërxhaliu: Shteti dhe ligji të thonë fjalën për privatizim


Safet Gërxhaliu
Safet Gërxhaliu

“Me një sundim të rendit e ligjit, me një gjykatë të mirëfilltë dhe aktive, procesi i privatizimit do të kishte arritur efektin, për të cilin është krijuar. Në këtë drejtim, është koha kur shteti dhe ligji duhet të thonë të veten dhe nëse kjo do të koordinohet, atëherë efektet e privatizimit do të jenë në funksion të mirëqenies dhe ardhmërisë së Kosovës”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, në Kosovë së fundi janë mbajtur protesta të njëpasnjëshme kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike. Kundër këtij procesi janë mbledhur, po ashtu, edhe rreth 63 mijë nënshkrime nga qytetarët si formë peticioni. Çfarë ka bërë që është krijuar kjo situatë?

SAFET GËRXHALIU
Në rend të parë duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova është në një udhëkryq drejt familjes evropiane, duke kaluar nëpër një proces të tranzicionit. Një ndër pikat kyçe të procesit të tranzicionit është pa mëdyshje edhe procesi i privatizimit.

Është e vërtetë se nuk kemi arsye që të jemi të kënaqur me procesin se si ka vijuar deri më tani, mirëpo është diçka që nuk e meriton Kosova dhe proceset zhvillimore, të thuhet se jemi për ta ndërprerë procesin e privatizimit. Jemi të vetëdijshëm se duhet të ngrihet përgjegjësia; se duhet të ndryshojë qasja ndaj procesit të privatizimit, por kurrsesi të ndërpritet procesi i privatizimit.

Sot jemi duke u ballafaquar me një varfëri ekstreme, me papunësi, me rënie të investimeve të huaja direkte, me rënie të remitencave, dhe gjithë këta indikatorë vallë a nuk na obligojnë moralisht që të hulumtojmë sfidat për të tërhequr freski financiare ose investime të huaja në forma të ndryshme?!



Në këtë drejtim, një proces i tillë duhet të avancohet. Procesi i privatizimit duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe kurrsesi të paraqiten kërkesa shumë më tepër centraliste, shumë më tepër anti-inegruese dhe aq më tepër anti-globaliste. Prandaj, një politikë e tillë, një qasje e tillë nuk i shkon në favor Kosovës, për momentin, por ardhmërisë së Kosovës në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të ishte mënyra më e mirë e privatizimit të këtyre ndërmarrjeve publike?

SAFET GËRXHALIU
Faktori kryesor, ose emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre proceseve, në të cilat po kalon Kosova, është mungesa e përgjegjësisë - qoftë individuale, qoftë institucionale, dhe nuk mund të flitet për përgjegjësi në këto dy forma në qoftë se nuk e kemi sundimin e rendit dhe ligjit.

Me një sundim të rendit dhe ligjit, me një gjykatë të mirëfilltë dhe aktive, procesi do të kishte arritur efektin për të cilin edhe është krijuar. Pra, në këtë drejtim është koha kur duhet vërtet që shteti dhe ligji ta thonë të veten dhe nëse kjo do të koordinohet, atëherë efektet e privatizimit do të jenë në funksion të mirëqenies dhe të ardhmërisë së Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Kosova vazhdon të ketë përpara sfida të shumta në rrafshin e përmirësimit ekonomik. Cila do të ishte primare, sipas jush?

SAFET GËRXHALIU
Në rend të parë, reforma ekonomike nuk bartet në aspektin teorik dhe me marketing. Është koha kur duhet ta kemi një qasje shumë më të madhe substanciale drejt ekonomisë. Pika e dytë është që në Kosovë janë parashtruar shumë prioritete, por unë besoj që i vetmi prioritet duhet të jetë zhvillimi ekonomik, dhe nëse ka diçka që duhet të jetë prioritet i prioriteteve, duhet të jetë pikërisht ekonomia.

Për fat të keq, institucionet tona këtë nuk janë duke e kuptuar dhe çdo ditë dëgjojmë për prioritete dhe prioritete të prioriteteve. Por, në qoftë se mendohet në stabilitetin politik, atë social, në integrimin evropian, atëherë emëruesi i përbashkët dhe kushti esencial është zhvillimi ekonomik. Prandaj, dua të besoj që është koha kur duhet të bëhet më tepër për ekonominë sesa të flitet për ekonomi.

Te ne, për fat të keq, ndodh e kundërta. Nuk mund të kemi stabilitet ekonomik dhe zhvillim ekonomik në qoftë se eksportojmë para të gatshme; nuk mund të kemi zhvillim ekonomik në qoftë se nuk do të kemi investitorë dhe investime të huaja, por të gjitha këto ne nuk do t’i kemi nëse nuk i kryejmë detyrat e shtëpisë. Në rend të parë, eliminimi i dukurive negative, si: korrupsioni, burokracia, krimi i organizuar dhe, mbi të gjitha, nga Kosova të promovohen vlera përmes së cilave do të përmirësohej imazhi i Kosovës, që është një ndër sëmundjet kancerogjene të shoqërisë kosovare karshi investitorëve të huaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej objektivave, që institucionet e Kosovës po përpiqen të përmbushin, është joshja e investimeve të huaja. Mungesa e një stabiliteti ekonomik shpesh përmendet si një nga shkaktarët që pengon këtë proces. Çka duhet bërë për të ndryshuar këtë imazh?

SAFET GËRXHALIU
Po, të gjitha këto dukuri që u tha më herët janë faktor kryesor. Po kthehemi prapë te procesi i privatizimit. Unë nuk e kam shqetësimin përse po ndodh procesi i privatizimit, në këtë mënyrë kthehemi te Postë-Telekomi i Kosovës. Nuk mund ta kuptoj që një kompani profitabile çfarë është PTK-ja, nuk mund të jetë atraktive për kompani çfarë është Vodafone, Deutche-Telekom, O2-shi dhe shumë kompani tjera. Prania e tyre në Kosovë e ka jo vetëm rëndësinë ekonomike, por mbi të gjitha rëndësinë dhe përparësinë psikologjike.

Për fat të keq, përparësinë psikologjike të kompanive të mëdha nuk janë duke e kuptuar qarqet vendimmarrëse dhe kyçe në Kosovë. Prania e këtyre kompanive në Kosovë vetvetiu nënkupton stabilitet, vizion, zhvillim, qëndrueshmëri dhe e tërë kjo do të jetë diçka që do ta rrisë atraktivitetin. Për mua ka qenë shokuese kur para disa dite janë dëgjuar zëra se kinse janë kundër privatizimit nga zonja Albrighte dhe zoti Clark. Prania e tyre do të ishte një garanci, një mesazh i qartë ndaj të gjithë atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës, gjithashtu një inspirim dhe inkurajim për të tjerë që t’ia mësyjnë Kosovës, sepse aty janë kompanitë më të mëdha amerikane.

Prandaj, në këtë drejtim, nëse nuk i eliminojmë këto dukuri negative, jo që nuk do të kemi investitorë dhe investime të huaja direkte, po druaj që edhe këta që janë në Kosovë, do të tentojnë të gjejnë alternativa për t’u larguar - e tërë kjo e dëmton ardhmërinë e Kosovës. Dhe, çka është më esenciale, është koha kur duhet ta kemi një paralelizëm ose një formë duale të qasjes krahas ngritjes dhe orientimit të edukimit të të rinjve t’i kemi edhe sektorët ekonomikë.

Nuk mund të mburremi se kemi fuqi të lirë punëtore. Është koha kur duhet të themi se kemi edukuar punëtore. Nuk mund të jemi krenarë se të gjithë studiojmë - është koha kur duhet të gjithë të punojmë. Pra, në këtë drejtim, zhvillimi ekonomik duhet mund të jetë minimizuesi i të gjitha këtyre tensioneve, por në të njëjtën kohë një zhvillim ekonomik mund të jetë garanci e suksesit për t’i arritur qëllimet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Sektori privat shihet si gjenerues i zhvillimit ekonomik të një vendi. Çfarë janë duke bërë autoritetet e Kosovës për ngritjen e këtij sektori?

SAFET GËRXHALIU
Rëndësia e sektorit privat në Kosovë nuk është kuptuar ashtu siç e meriton dhe e kam thënë me përgjegjësinë më të madhe edhe në të kaluarën, e po e them edhe sot, në qoftë se në Kosovë ekzistojnë heronjtë e pasluftës, janë pikërisht sektori privat dhe kompanitë private, të cilat përveç atyre që janë nën ombrellën politike, të tjerat vërtet me një mund, me një angazhim, kanë punësuar, kanë kontribuar në buxhet, kanë promovuar vlera dhe janë bartës të stabilitetit social në Kosovë.

Mirëpo, nuk duhet gjithmonë të pritet çka ato bëjnë për shtet, në momente të caktuara duhet të pyetet çka bën shteti për ato kompani. Dhe, vërtet, është fare i vogël orientimi institucional drejt mbështetjes së këtyre ndërmarrjeve dhe, në fund të fundit, ato nuk kërkojnë as pak e as më shumë se çka bëjnë qeveritë e shteteve të rajonit karshi biznesit të tyre.

Tek atëherë mund të mendohet se vërtet sektori privat do të jetë gjenerues, mirëpo vetë fakti që i kemi planifikimet buxhetore për vitin 2013 - 2014 deri në vitin 2015, dhe orientimi bazik qeveritar është që bartës i grumbullimit të buxhetit të jetë Dogana e Kosovës, është dëshmia më e mirë se me ose pa qëllim, po favorizohet tregtia; me ose pa qëllim po shndërrohet Kosova në një shoqëri të varur nga importi dhe kur një shtet eksporton para të gatshme, atëherë cila mund të jetë ardhmëria e sektorit privat, çfarë mund të jetë gjenerimi i vendeve të reja të punës dhe çfarë mund të jetë politika sociale në atë shtet.
XS
SM
MD
LG