Ndërlidhjet

Propozim-ligji i hartuar nga Qeveria lidhur me dekriminalizimin e shpifjes dhe të ofendimit, së shpejti do të gjendet në procedurë parlamentare, por pas leximit të parë ky propozim duhet të hidhet për debat publik që më pas edhe të miratohet në Kuvend. Shoqata e Gazetarëve ka përshëndetur hartimin e këtij propozim-ligj,në të cilin ishte e inkuadruar edhe vetë ajo.

“Bartësit e funksioneve publike duhet të përballen me kritikat e opinionit edhe atëherë kur ato mund të duken të tepruara, gjykatësit të zbatojnë ligjin, kurse gazetarët të tregojnë gatishmëri në respektimin e standardeve profesionale dhe etikës”, thuhet në reagimin e parë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë, vërejtje rreth propozimit kanë shfaqur organizatat tjera mediatike. Nga Instituti maqedonas i medieve, thonë se dekriminalizimi i shpifjes i hap dyert për liri më të madhe të medias, por teksti i propozim-ligjit ka çështje problematike që duhet të shqyrtohen në debat të hapur publik.

“Së pari që bie në sy është neni 23 i propozim-ligjit, ku gjyqit i jepet mundësia për të ndaluar përkohësisht publikimin e përmbajtjeve, për të cilat beson se nuk janë të vërteta, domethënë gjyqi nuk mundet pa asnjë proces gjyqësor të ndalojë një tekst që të publikohet. Nëse ky nen mbetet ashtu siç është propozuar, atëherë nëse ndonjë politikan apo zyrtar e sheh se diçka është shpallur për të në media, ai mund të shfrytëzojë fuqinë e tij, të bëjë presion ndaj ndonjë gjykatësi dhe të japë urdhër që përmbajtja të mos publikohet”, thotë Petrit Saraçini, nga Instituti maqedonas i mediave.

Ai ngre shqetësimin edhe për çështjen e dënimeve që mund të shqiptohen nga ana e gjykatës.

“Ne mund të kemi ligj fantastik, por nëse gjykatësit nuk gjykojnë në mënyrë të pavarur, ne përsëri do të kemi probleme edhe me këtë ligj, siç kishin probleme kur këto çështje ishin pjesë e Kodit penal”, shton Saraçini.

Vërejtje lidhur me propozim-ligjin shprehin edhe drejtuesit e Qendrës për zhvillimin e mediave. Veç çështjeve të përmendura më lart, Roberto Beliçanec thotë se ka shumë aspekte tjera që nuk janë përfshirë në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian, i cili, si një nga kriteret në procesin e integrimit ka vendosur edhe lirinë e mediave.

“Megjithëse shpifja mbetet si më e rëndësishmja, ka edhe një sërë bëhet çështjesh të tjera që nuk janë përfshirë në udhërrëfyes. Këtu do të përmend pavarësinë e shërbimit publik, gjuhën e urrejtjes e shprehur në mënyrë publike dhe stigmatizimin e grupeve të shoqërisë, pra shumë çështje që dëmtojnë shprehjen e lirë dhe që nxisin tensione”, thotë Beliçanec.

“Legjislatura në pjesën e mediave në tërësi është joadekuate dhe në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare në pjesën e lirisë së mediave. Ka shumë çështje të diskutueshme lidhur me financimin e mediumeve, ndarjen e mjeteve shtetërore për reklamat, si dhe ndarjen e lejeve për punë nga Këshilli për radiodifuzion e kështu me radhë”, thekson Beliçanec.

Ndryshe, propozim-ligji për dekriminalizimin e shpifjes është miratuar nga ana e Qeverisë pas dialogut që ajo ka zhvilluar me Shoqatën e Gazetarëvetë Maqedonisë.

Në bazë të këtij propozimi, gazetarët më nuk do të dënohem me burg në rast se paditen për shpifje apo ofendime në shkrimet e tyre, por do të dënohen materialisht.

Zhdëmtimet arrijnë vlerën prej 2 mijë euro për gazetarët që janë autorë të tekstit, 10 mijë euro për kryeredaktorin, dhe 15 mijë euro për pronarin e medias.

Por, sipas propozimit, këto gjoba mund edhe të mos-shqiptohen nëse mediat publikojnë përgënjeshtrimin apo nëse media kërkon falje në rast se vërtetohet se shkrimi i tyre nuk ka treguar të vërtetën.
XS
SM
MD
LG