Ndërlidhjet

SHBA-ja falënderon Pakistanin për mbrojtjen e amerikanëve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Senati i Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë me një votim 81 me 10, një propozim për të pezulluar ndihmën e huaj për qeveritë e Pakistanit, Egjiptit dhe Libisë, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit mbi interesat amerikane në këto vende.

Refuzimi i Senatit ndaj propozimit, erdhi në kohën kur administrata amerikane e falënderoi Pakistanin për mbrojtjen e Ambasadës Amerikane në Islamabad, nga ana e protestuesve.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, falënderoi ministren e Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar gjatë vizitës në Uashington.

“Dua ta falënderoj Qeverinë e Pakistanit për mbrojtjen e ambasadës sonë në Islamabad dhe konsullatat në Lahore, Peshawar dhe Karachi. Dua ta bëj të qartë - siç e kam thënë në disa raste të tjera - se dhuna që e kemi parë, nuk mund të tolerohet”, u shpreh sekretarja Clinton.

Ajo shtoi se Washingtoni e dënon videon e bërë privatisht “Pafajësia e myslimanëve”, ndaj së cilës janë zhvilluar protestat. Por, ajo tha se filmi nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën.

“Nuk ka justifikim për dhunën. Natyrisht, se ka pasur provokime dhe ne e kemi bërë të qartë se në asnjë mënyrë nuk mbështesim provokimet. Ne mendojmë se ajo video, që është shkak i këtyre ngjarjeve, është ofenduese, e neveritshme dhe e dënueshme. Por, kjo nuk e justifikon dhunën”, tha Clinton.

Zyrtarët pakistanezë thanë se të paktën 16 persona kanë humbur jetën në protestat e së premtes në Pakistan. Dhjetëra-mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e vendit për të shprehur zemërimin e tyre me filmin anti-islamik, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, dhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara në një revistë franceze.

Ndryshe, propozimi i hedhur poshtë nga Senati, gjithashtu do të mund t’ia mohonte ndihmën Pakistanin, deri në lirimin e mjekut Shakil Afridi.

Afridi dyshohet se i ndihmoi Shtetet e Bashkuara për t’i rënë në gjurmë, Osama bin Ladenit, duke udhëhequr një fushatë të rreme vaksinimi për CIA-n, me qëllim të mbledhjes së ADN-së.

Objektivi ka qenë që të verifikohet prania e bin Ladenit në kompleksin, në të cilin edhe u vra lideri i Al-Kaidës.

Afridi është dënuar për tradhti të lartë me burgim prej 33 vjetësh. SHBA kërkon lirimin e tij.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG