Ndërlidhjet

logo-print

Sfidat për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit


Ilustrim

Ilustrim

Kosova ka ende shumë objektiva për të përmbushur, të cilat janë kushte të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe në këtë proces e presin mjaft sfida. Kështu ka vlerësuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili ka prezantuar analizën e politikave me titull “Një matricë vlerësimi mbi të arriturat dhe sfidat e Kosovës në përmbushjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se analiza e këtij grupi ka treguar që procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelor i Qeverisë së vendit dhe se ajo duhet ta rrisë dinamikën në zbatimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

“Qeveria duhet të rrisë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proces, kaq i rëndësishëm për qytetarët e vendit. Përveç kësaj, analiza gjithashtu tregon se procesi apo zbatimi i kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, nuk varet thjesht vetëm nga institucionet e Kosovës. Janë disa kushte që varen nga faktorë të jashtëm, siç është dialogu Kosovë - Serbi apo edhe nga vetë autoriteti i Bashkimit Evropian dhe pozicioni i tij përballë KFOR-it dhe EULEX-it”, ka thënë Korenica.

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, sfidat që mbesin dhe për të cilat duhet marrë masa që të përmbushen sa më shpejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, ndahen në disa blloqe, siç janë: siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror dhe menaxhimi i migracionit, rendi dhe siguria publike, si dhe të drejtat themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes.

Dren Doli, i cili e ka prezantuar analizën e Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se sa u përket kushteve lidhura me ri-pranimin dhe me ri-integrimin, Kosova ka bërë përparim të dukshëm, por kushtet në disa blloqe mbesin sfidë për institucionet e Kosovës.

“Është e rëndësishme që të thuhet se ‘blloku 2’ dhe ‘blloku 3’, si dhe kryesisht blloku mbi sigurinë publike dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, mbeten blloqet ku Kosova ka shënuar progres shumë të ulët, në krahasim me blloqet tjera. Kryesisht, në bllokun 3, objektivat që lidhen me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë renditur shumë ulët, sipas indeksit që ne e kemi përcaktuar. Në bllokun 2, në lidhje me menaxhimin e kufirit shtetëror, problematike mbetet zbatimi i parimit të menaxhimit të integruar të kufirit në tërë territorin e Kosovës, sidomos në pikat veriore”, ka sqaruar Doli.

Doli ka shtuar se, për t’i eliminuar vështirësitë e përmendura, institucionet e Kosovës duhet ta kenë një koordinim akoma më të mirë me EULEX-in dhe KFOR-in.
Gjithashtu, ai ka potencuar edhe një varg sfidash të tjera, që i presin institucionet e Kosovës.

“Mbetet sfidues plotësimi i objektivave që kanë të bëjnë me kornizën ligjore në fushën e konfiskimit të pasurisë; rritja e aktiviteteve për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe pasurisë së pashpjegueshme; rritja e kapaciteteve institucionale për të siguruar transferimin e kompetencave, në luftimin e krimit financiar, nga EULEX-i në institucionet e Kosovës”.

“Gjithashtu edhe ngritja e kapaciteteve të gjykatësve, prokurorëve dhe policisë në luftimin, hetimin dhe gjykimin e rasteve që kanë të bëjnë me krimin financiar, me shpëlarjen e parave, si dhe për korrupsionin dhe në përgjithësi për krimin ekonomik dhe financiar”
, ka theksuar Doli.

Ndryshe, vlerësimet që ka dhënë Grupit për Studime Juridike dhe Politike, sipas përfaqësuesve të saj, janë rezultat i një monitorimi disamujor të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nën koordinimin e Ministrisë për Integrim Evropian dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Ky raport është vazhdimësi e punës dhe zotimeve të institucioneve të Kosovës të bëra në takimin e zyrtarëve të lartë të mbajtur në Bruksel më 14 qershor 2012, me ç’rast, Kosovës i ishte dorëzuar udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG