Ndërlidhjet

Koshtunica: "Kushtetuesja të shfuqizojë marrëveshjet me Kosovën!"


Vojillav Koshtunica
Vojillav Koshtunica
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka thënë sot se kjo parti do të ndërmarrë një nismë në Gjykatën Kushtetuese që të shfuqizojë marrëveshjet në mes të Beogradit dhe Prishtinës të arritura në Bruksel.

“Në të njëjtën kohë, DSS do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullojë
zbatimin e të gjitha akteve që lindin nga këto marrëveshje, derisa të vazhdojë shqyrtimi i kushtetutshmërisë, në mënyrë që të mos ketë vazhdim të pasojave të dëmshme”, ka thënë Koshtunica për agjencinë e lajmeve Beta.

Ndërkohë, zyrtarët e qeverisë serbe të ngarkuar në dialogun mes Kosovës e Serbisë, po sot kanë deklaruar se Serbia mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Megjithatë, edhe ata kanë thënë se do të synojnë rishqyrtimin e disa pjesëve të kontestueshme për Beogradin, si në Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe atë të Lirisë së Lëvizjes.

Raundi i nëntë dhe i fundit i bisedimeve teknike mes Kosovës e Serbisë është mbajtur në muajin mars.

Në këto bisedime janë arritur 7 marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje.

Aktualisht flitet për ngritje në nivel politik të dialogut, por, ende nuk është konfirmuar asgjë zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG