Ndërlidhjet

Stefanoviq: Serbia s'është e obliguar të zbatojë marrëveshjet


Borko Stefanoviq
Borko Stefanoviq
Ish shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviq ka thënë se qeveria serbe nuk është e obliguar që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën.

Ai ka thënë se qeveria edhe mund të shfuqizojë urdhëresat e marra nga qeveria paraprake.

Pas deklaratave se qeveria serbe duhet të ndryshojë marëveshjet e arritura, por nuk mund t’i shfuqizojë, meqë bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare, Stefanoviq ka thënë se ai nuk ka nënshkruar asgjë, por vetëm ka vendosur inicialet në protokolin teknik për vendkalimet kufitare.

“Ne nuk kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, sepse marrëveshjet e tilla do të duhej të nënshkruheshin dhe do të ishin subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në këtë rast mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ato marrëveshje, do të duhej të miratoheshin në Kuvendin e Serbisë”, ka thënë Stefanoviq.

Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica tha se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Ndërsa, zyrtarët serbë të ekipit të tashëm negociator, kanë thënë se synojnë të ndryshojnë pjesët e kontestueshme të marrëveshjeve, kryesisht në Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe të Lirisë së Lëvizjes.

Raundi i nëntë dhe i fundit i bisedimeve teknike mes Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga bashkimi Evropian, është mbajtur në muajin mars.

Në këto bisedime janë arritur 7 marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje.

Aktualisht flitet për ngritje në nivel politik të dialogut, por, ende nuk është konfirmuar asgjë zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG