Ndërlidhjet

Fule: BE dëshiron anëtare të reja, por me probleme të zgjidhura


Intervista me Stefan Fule
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:11:07 0:00

Intervista me Stefan Fule

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Fyle, paralajmëruat se për herë të parë haptas do të flisni me anëtarët e koalicionit qeveritar për marrëdhëniet fqinjësore. Cilat elemente konkretisht hyjnë në këtë çështje?

STEFAN FULE
Mendoj që, si e para, me rëndësi është të thuhet që nuk ka distinskion, të gjithë fqinjët janë të rëndësishëm për vendin-kandidat, për vendin që dëshiron të ndërlidhet në Bashkimin Evropian. Rasti i marrëdhënieve me Greqinë është i dukshëm, është kjo çështja e emrit që do të duhet të zgjidhet. Plus marrëdhënieve me Greqinë, gjithnjë e më shpesh po dëgjoj për marrëdhëniet dhe kompleksitetin e marrëdhënieve me Bullgarinë. Dëgjoj një numër të madh deklaratash nga përfaqësuesit bullgarë, të cilët iu referohen problemeve në marrëdhëniet ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Kjo duhet të zgjidhet, kjo duhet të udhëhiqet nga politikanët e të dyja palëve. Politikanët e të dyja palëve kanë përgjegjësinë.

Rruga kah BE-ja kalon përmes marrëdhënieve fqinjësore dhe, nëse doni të bëheni anëtar i mirë i Bashkimit Evropian, mënyra e vetme është që në të njëjtën kohë të bëheni edhe fqinj të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në periudhën e kaluar në media u paraqit informacioni se Maqedonia në dhjetor mund të marrë datën e bisedimeve, me ç’rast mbyllja e çështjes së emrit nuk do të kishte qenë kusht për fillimin e bisedimeve, por për përfundimin e bisedimeve. E dimë që në dhjetor do të merret vendimi politik, por realisht a është e mundur të ndodhë një gjë e tillë?

STEFAN FULE
Si e para, e di që mundësia që të ruhet a të lihet çështja e rëndë në fund të procesit nuk është e vërtetë. Të besohet se do të shkohet përpara edhe kur gjithçka është bërë, ne atëherë do të fillojmë të shqyrtojmë çështjen e emrit, duke menduar se ashtu do të jetë më lehtë - ky është koncept mjaft i rrezikshëm, kjo nuk do të ketë sukses.

Tjetra, iu takon anëtarëve të Bashkimit Evropian. Nuk dua të prejudikoj se çka do të ndodhë në dhjetor, do t’i kisha zvogëluar pritjet këtu. Anëtarët e Bashkimit Evropian janë të qartë në atë se cili është pozicioni i tyre për çështjen e emrit dhe çka duhet bërë. Ne ende s’i kemi bërë hapat e parë, ne ende nuk e kemi miratuar raportin e progresit, aty është rekomandimi i rëndësishëm.

Unë pres që anëtarët e BE-së në dhjetor do të veprojnë në bazë të tij, unë shpresoj shumë se do t’i marrin parasysh edhe ato elemente pozitive, të cilat i solli dialogu i nivelit të lartë. Mirëpo, përsëri do të them, do të kishte qenë naive të besohet që e gjithë ajo mund të ndodhë, që mund të merren vendime pozitive duke e parkuar kontestin me emrin diku në ndonjë parking të braktisur në fund të kësaj rruge të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kriza qeveritare në pamje të parë u qetësua. Deklaruat se jeni të brengosur për gjendjen politike dhe se politikat e rivalitetit etnik që po udhëhiqen, nuk çojnë askund. Përsëri është hapur mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si do të ndikojë kjo ndaj proceseve euro-integruese të Maqedonisë?

STEFAN FULE
Së pari, erdha këtu që t’iu rekomandoj partive politike dhe partnerëve të koalicionit dhe të gjithë faktorëve kuptohet, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për stabilizimin e shtetit, të bëhet gjithçka që të krijohen kushte që potenciali që ofron dialogu në nivel të lartë, të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, për shkak se, nëse vendimi është që vërtet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kam frikë se ajo dinamikë do të humbet dhe kush e di se sa kohë do të humbet.

Unë nuk jam ai që të vlerësoj në këtë situatë, nëse tani ka shanse më të mëdha për zgjedhje të parakohshme apo jo, kjo nuk varet prej meje. Por, përfundimisht jam ai që qartë është i interesuar për atë që Qeveria të punojë e angazhuar dhe partnerët e koalicionit të punojnë në atë mënyrë që do të besohen ndërmjet vete, të ketë transparencë, parashikim dhe se do t’i kapitalizojnë rezultatet nga dialogu i nivelit të lartë. Jo pse është i mirë për ta, por pse është i mirë për shtetin, është i mirë për qytetarët maqedonas.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e madhe e detyrave nga treguesi, janë teknike, siç janë ndryshimet e ligjeve dhe nxjerrja e të rejave. Çka e garanton se kësaj here ligjet që do të nxirren nga Parlamenti, do të zbatohen, kur vërejtje e shpeshtë nga KE-ja është pikërisht moszbatimi ose zbatimi selektiv i ligjeve?

STEFAN FULE
Po, kjo është një çështje ekstremisht e rëndësishme, të cilën e nënvizova edhe në Parlament. E theksuam këtë edhe në bisedat nga dialogu i nivelit të lartë me Qeverinë. Ne dolëm me qasje të re në bisedimet para-aderuese, dolëm me qasje, e cila është e fokusuar më shumë në ndjekjen e asaj që është realizuar sesa në shenjimin e pikëve, a është nxjerrë ndonjë ligj apo a është themeluar ndonjë institucion. E ndjej nevojën që ligjet duhet të zbatohen, për shkak se këtu qytetarët do ta ndjejnë impaktin nga legjislacioni i ri dhe nga institucionet e reja që krijohen.

Nëse shihni në mekanizmin tonë për ndjekje apo vlerësim të dialogut në nivel të lartë, ne gjithnjë bëjmë dallim midis asaj që është miratuar, që është përcaktuar - bukur, ky është një fillim i mirë, mirëpo ajo që na duhet është që të ketë mekanizëm të besueshëm ndjekjeje, se ato çështje në të vërtetë punojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve maqedonas.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur në mend se 75 për qind nga treguesi janë punë të kryera, a mund të konkludohet se Maqedonia shënon përmirësim në çështjet kyçe, siç janë sundimi i së drejtës, liria e shprehjes, respektimi i të drejtave të njeriut, edhe pse sipas raporteve të Departamentit të Shtetit dhe të Amnesty International, e të institucioneve të ngjashme ndërkombëtare, theksohet se janë të brengosur për gjendjen në Maqedoni?

STEFAN FULE
Mendoj që përfundimisht është më mirë në krahasim me situatën, po të mos e kishit eventualisht procesin e dialogut në nivel të lartë. Por, përsëri, progresi i vërtetë mund të arrihet jo përmes një lloj marrëveshjeje, por përmes bisedimeve për qasje, ku nuk ka vetëm 5 fusha dhe 15 objektiva e kushte të limituara, por përmes procesit për qasje, ku ka 35 kaptina agjendë më gjithëpërfshirëse, duke u marrë me të gjitha çështjet relevante dhe secila prej atyre kaptinave ofron një numër të madh kushtesh të rëndësishme që i ndihmojnë Qeverisë, cilado qoftë ajo, që të fokusohet në prioritetet e integrimit në BE, prioritete për popullin e vet.

Prandaj, kjo është aq e rëndësishme, të krijohen kushte që ajo derë përfundimisht të hapet dhe vendi juaj të bëhet pjesë e atij procesi.
XS
SM
MD
LG