Ndërlidhjet

Deklarata e kreut të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale”, nuk ka bazë reale, por përmes këtij qëndrimi Daçiq paralajmëron pozicionimin e Serbisë në dialogun e mundshëm me Kosovën, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, kjo tregon se çfarëdo dialogu në të ardhmen, Kosova dhe Serbia e shohin prej dy këndeve krejtësisht të kundërta, që do të thotë se Kosova e sheh dialogun si një proces për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq, kjo e fundit e sheh si një mundësi tjetër për ta cenuar dhe mohuar shtetin e Kosovës, si dhe ta destabilizojë atë.

Politologu Behlul Beqaj, thotë se deklarata e kryeministrit serb, Daçiq, nuk është befasuese, pavarësisht kundërshtimeve që kanë autoritetet e Kosovës, por edhe bashkësia ndërkombëtare lidhur me ndryshimin e kufijve.

Megjithatë, deklarata e fundit (e Daçiqit), e zbulon natyrën e mirëfilltë të pretendimeve serbe karshi Kosovës.

“Realisht, indikacione të tilla ka paralajmëruar qysh më herët kryeministri aktual serb, ndonëse, objektivisht, në Serbi është një konfuzion rreth çështjes së Kosovës. Megjithatë, deklarata e fundit (e Daçiqit), e zbulon natyrën e mirëfilltë të pretendimeve serbe karshi Kosovës”.

“Por, kjo nuk është aq shumë me rëndësi sa është me rëndësi edhe një deklaratë, të cilën kohë më parë e pati dhënë ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit, zoti Busek, që ndërlidhet me mundësinë e koordinimit të veprimeve që kjo ide të ketë mbështetës sa më të mëdhenj dhe eventualisht të bëhet sa më reale”, thotë Beqaj.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, thotë se kryeministri serb, Daçiq, e ka të qartë që opsioni i ndarjes së Kosovës përjashtohet kategorikisht nga elita politike në Kosovë, por sidomos nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i frikohet një efekti domino që do të mund të shkaktonte ndarja e Kosovës.

“Kjo (deklarata e Daçiqit) shumë më tepër ka gjasa që të jetë një pozicionim i Serbisë para bisedimeve, në të cilat ata presin që do të bisedohet edhe për veriun e Kosovës, me synimin që të nxjerrin një zgjidhje që i ofrohet sa më shumë ndarjes së Kosovës - pra, një autonomi sa më të madhe, një shkëputje sa më të madhe të veriut të Kosovës nga Prishtina”, shprehet Arifaj.

Në anën tjetër, ditë më parë, drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandër Vulin, ka deklaruar se Beogradi dëshiron vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, por pa kurrfarë parakushtesh.

Njohësit rrethanave dhe zhvillimeve politike, vlerësojnë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, siç është edhe kjo e fundit e Daçiqit, në njëfarë forme janë parakushte, të cilat ata po përpiqen t’i vendosin.

Megjithëkëtë, politologu Beqaj thotë se Serbia nuk është në pozicion që të vërë kushte ose parakushte për vazhdimin eventual të dialogut me Kosovën.

“Këto janë më shumë prekje të pulsit për gatishmërinë e faktorëve që janë pjesëmarrës në dialog, apo të atyre që e mbështesin dialogun. Por, gjithsesi, unë mendoj se hapja eventuale e çdo kushti nga njëra anë, duhet të nënkuptojë edhe hapjen e kushteve nga pala tjetër”.

“Në rastin konkret, nëse eventualisht mendohet për veriun, atëherë, në mënyrë definitive, duhet të mendohet edhe për Luginën e Preshevës, për arsye të parimit, të reciprocitetit dhe të drejtësisë”

, thekson Beqaj.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë ripërsëritur qëndrimin se në dialogun eventual me Serbinë çështja e veriut të Kosovës përjashtohet si temë.

Analisti Arifaj thotë se dialogu nuk ka alternativë, por qëndrimi i zyrtarëve kosovarë është inkurajues, ashtu siç është edhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare.

Edhe më inkurajuese janë sinjalet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare - tash së voni, herën e fundit, nga Bundestagu gjerman, me shtatë pikat (kushtet) që ia ka drejtuar Serbisë...

“Edhe më inkurajuese janë sinjalet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare - tash së voni, herën e fundit, nga Bundestagu gjerman, me shtatë pikat (kushtet) që ia ka drejtuar Serbisë, me të cilat kërkon, ndër të tjera, atë që është kërkuar edhe më herët nga shumë zyrtarë të BE-së, që Serbia të zbatojë së pari marrëveshjet e arritura deri më tash dhe sidomos, për t’i hapur rrugë çfarëdo dialogu të drejtë dhe çfarë e kërkon edhe Prishtina në të ardhmen, ta largojë prezencën e vet ilegale nga veriu i Kosovës”, potencon Arifaj.

Sido që të jetë, Serbia tashmë është në pritje të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilën gjë zyrtarët evropianë i kanë vënë kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet