Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës (s)pranojnë ndarjen


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Serbët e Kosovës kanë mendime të ndryshme në lidhje me idenë e kryeministrit serb Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës.

Dallimet janë gjeografike, ata që jetojnë në veri, pranojnë një ide të tillë, por, jo edhe serbët në jug të vendit.

Përfaqësuesi i serbëve në Mitrovicë, Kërstimir Pantiq, iu ka thënë mediave serbe, se Qeveria e Serbisë duhet të shpallë referendum në lidhje me këtë çështje.

“Është e qartë se presionet nga BE dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare janë rritur që nga fillimi i mandatit të qeverisë së re dhe për këtë arsye, edhe ideja për ndarjen e Kosovës ka dalë si opsion”, ka thënë Pantiq.

Ndërsa, politikani nga Graçanica, Rangjel Nojkiq, beson se pasojat do të ishin tepër të mëdha, po që se pranohet ndarja e Kosovës.

“Në atë rast institucionet e Prishtinës nuk do të kishin kurrfarë obligimi. Në fakt, krejt ajo që del nga pakoja e Marti Ahtisarit, dhe të gjitha marrëveshjet e arritura, do të binin në ujë, dhe do të zgjidhej vetëm çështja e serbëve në veri, derisa serbët e pjesës qendrore do të paraqisnin dëmin kolateral të një vendimi të tillë”, ka thënë Nojkiq.

Ditë më parë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Brukseli nuk mund ta detyrojë Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se ndarjen e saj e sheh si të vetmen zgjidhje të mundshme dhe reale.

“Mendoj se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale dhe jam i sigurt se atë do ta pranonin edhe shqiptarët në Prishtinë. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse një gjë e tillë mund të shkaktojë protesta në rajon”, ka thënë Daçiq për mediat televizive në Serbi.
XS
SM
MD
LG