Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: Të nxirren mësime nga Kosova


Ilustrim

Ilustrim

Wall Street Journal në një editorial të botuar në numrin e sotëm, rikujton ndërhyrjen amerikane në Kosovë dhe suksesin në ndërtimin e shtetit të ri kosovar.

Në një muaj shqetësues në Lindjen e Mesme, vjen një kujtim i një kohe, kur Amerika u ballafaqua me sfidën dhe i dha formë një bote të trazuar. Tani duket si të ishte një epokë tjetër, shrkuan WSJ.

“Shteti i vogël i Kosovës këtë muaj doli nga mbikëqyrja ndërkombëtare drejt pavarësisë së plotë, një ngjarje që mori pak vëmendje jashtë cepit të pluhurosur të Ballkanit. Presidenti Obama kishte të drejtë për ta festuar atë që quajti “moment historik”, por ai ka mundur të ndalet më shumë në lidhje me atë se si fuqia amerikane i dha fund një dekade të luftës në Evropën Juglindore dhe ndihmoi në lindjen e shtetit më të ri të kontinentit. Këto mësimet ende mund të gjejnë zbatim”, shkruan WSJ.

Luftimet dhe vrasjet në Ballkan në vitet e 1990-ta ishin po aq mizore siç janë sot në Lindjen e Mesme, shkruan e përditshmja amerikane.

“Kur, Sllobodan Millosheviqi vuri në shënjestër popullatën etnike shqiptare, kryesisht myslimane, presidenti demokrat Bill Clinton, që ndërhyri vonë për shpëtimin e Bosnjës në vitin 1995 dhe ndjente keqardhje për dështimin në ndalimin e gjenocidit të Ruandës, nuk hezitoi. Ai anashkaloi Kombet e Bashkuara dhe i dërgoi forcat ajrore amerikane. Pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s, spastrimi etnik i kryer nga serbët u ndalua në pranverën e vitit 1999”, kujton WSJ.

Kosova përfundoi në një harresë ndërkombëtare, por, Uashingtoni mbeti i përkushtuar për kauzën, madje edhe pas sulmeve të 11 shtatorit dhe luftërave në Irak dhe në Afganistan, thekson gazeta.

“Presidenti Bush u ngrit mbi kërcënimin rus dhe ambivalencën evropiane në shtytjen e tij për pavarësi, e cila u shpall njëanshëm në vitin 2008”.

Deri në javën e kaluar, kujton WSJ, Grupi Drejtues Ndërkombëtar ofroi një “pavarësi të mbikëqyrur”.

“Edhe pse Serbia dhe Rusia janë përpjekur ta minojnë atë në OKB dhe në vendet tjera, Kosova tashmë ka miratuar Kushtetutën, ka ndërtuar demokraci parlamentare, ka ngritur ambasadat, ka zgjedhur himnin kombëtar dhe ka ngritur një ushtri. Kosovarët nuk do t’ia dilnin mbanë pa mbështetjen ushtarake dhe politike amerikane, dhe ata janë mirënjohës për këtë. Kryeqyteti, Prishtina mban emrat e Bushit dhe Clintonit në dy nga rrugët e saj".
XS
SM
MD
LG