Ndërlidhjet

Kuçi: Ndarja shkakton "lëvizje tektonike"


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka tërhequr vërejtjen se kërkesa për ndarje të Kosovës mund të shkaktojë “lëvizje tektonike” në rajon.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja më reale”.

“Nuk është ide e re as nga Daçiqi e as nga Serbia. Është ide që është kundërshtuar nga bota demokratike, nga ne. Pavarësia e Kosovës është kompromisi që kanë bërë shqiptarët në rajon. S’ka qenë optimumi që kanë dashur shqiptarët. Serbia është ajo që tash po tenton të krijojë telashe, njëherë me gjenocid, pastaj të ndalet pavarësia, tash me ndarjen e Kosovës".

"Ne kemi menduar që ka ndryshuar Daçiqi, kemi menduar jo ai si individ, por Serbia is mentalitet, por mendoj se këtu përgjigjen më të mirë duhet ta japë bota demokratike. Çdo kërkesë ose lëvizje në këtë drejtim ka lëvizje tektonike dhe pastaj le të mendojnë të tjerët më shumë se shqiptarët”, ka thënë Kuçi.

Ai i ka quajtur të papërgjegjshme deklaratat në Beograd, se Serbia nuk është e obliguar të zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Kosova nuk bën politikë me inercion, nuk bën atë që e bën Serbia duke tentuar që ta imitojë, apo duke vepruar të kundërtën e asaj. Kosova e koordinon aktivitetin e vet në plotëni me SHBA-në dhe me BE-në. Qëllimi ynë është që të zbatohen ato që janë arritur deri më tash, e pastaj të shohim se çka do ndodhë më tutje. Në këtë drejitm nuk ndikohemi nga deklaratat e papërgjegjshme të kujtdo qoftë në Beograd”, është shprehur zëvendëskryeministri Kuçi.

Zyrtarët në Beograd në ditët e fundit kanë dhënë deklarata kundërthënëse në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve te arritura me Kosovën.

Një ditë më parë, ish shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq tha se qeveria e Serbisë nuk është e obliguar që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Por, zyrtarët serbë të përzgjedhur për ekipin e ardhshëm negociator me Kosovën, kanë lënë të kuptohet se marrëveshjet do të zbatohen, por do të synojnë ndryshimin e “pjesëve të kontestueshme”.
XS
SM
MD
LG