Ndërlidhjet

Sundimi i fortë i ligjit, thelbësor për Kosovën


Tracey Jacobson dhe Hajredin Kuçi, foto nga arkivi
Tracey Jacobson dhe Hajredin Kuçi, foto nga arkivi

Vendosja e sundimit të fortë të ligjit në Kosovë është thelbësor, jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet fqinje, tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Jacobson, me rastin e hapjes së Simpoziumit Rajonal lidhur me dëshmitë financiare dhe konfiskimin e pasurisë, që po mbahet në Prishtinë.

Jacobson, deklaroi se që të arrihet ky qëllim, të gjitha qeveritë në rajon duhet të bashkëpunojnë në kontrollimin e krimit të organizuar, uljen e shkallës së korrupsionit dhe parandalimin e kriminelëve që të shijojnë frytet e krimeve të tyre.

Natyrisht, kriminelët nuk respektojnë ligjin. Ata nuk respektojnë kufijtë shtetërorë. Grupet e organizuara kriminale shpesh shtrihen përtej kufijve dhe fshehin pasurinë e tyre në vende të ndryshme. Edhe korrupsioni shumë lehtë mund të shtrihet jashtë kufirit”, tha mes tjerash Jacobson.

Ambasadorja amerikane tha se e inkurajon fakti që Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë përparuar shumë në ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo tregoi se Kosova shpejt do ta ketë kodin e ri penal dhe atë të proceduarës penale, me të cilët do të ketë ndëshkime më të rënda për zyrtarët e korruptuar, krimet ekonomike dhe për grupet e organizuara kriminale.

Ambasadorja theksoi se më këto kode, prokurorët do të pajisen me mjete më të forta për zbulimin dhe ndjekjen penale të atyre krimeve.

Departamenti i Thesarit, tha ambasadorja amerikane, ka këshilluar Kosovën lidhur me projektligjin e ri kundër pastrimit të parave.

Ky ligj do të jetë në përputhje të plotë me standardet dhe institucionet për të cilat Kosova ka punuar me shumë zell për t’i ndërtuar. Departamenti i Thesarit, po ashtu, ka bashkëpunuar në themelimin e Instituti të Kosovës për krime ekonomike, ku Kosova do të zhvillojë ekspertizën e vet për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve financiare. Departamenti i Shtetit po mbështet nismën e presidentes Jahjaga për luftimin e korrupsionit përmes Këshillit të saj kundër korrupsionit”, u shpreh Jacobson.

Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se luftimi i krimit në përgjithësi nuk është asnjëherë i lehtë, por, më i vështirë është luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, i cili, siç u shpreh ai, “te ne njihet si një ndër fenomenet më shkatërrimtare të së ardhmes sonë të qetë, evropiane dhe stabile”.

Ministri Kuçi deklaroi se nga ajo që është vërejtur deri tash në Kosovë, vështirësia me e madhe në drejtim të konfiskimit të pasurisë ka qenë mbledhja e dëshmive financiare, gjë që sipas tij, përmes Kodit të ri të Procedurës Penale së bashku me Ligjin për Konfiskim të Pasurisë, do të ketë kompetenca të veçanta për gjyqësorin që të lejohet konfiskimi i pasurisë.

Me ligj lejohet gjykata që të urdhërojë konfiskimin e dobisë pasurore nga vepra penale të fituar para dënimit të tij për vepër penale. Në rastet kur i pandehuri është dënuar për veprën penale, t’i lejohet gjykatës të urdhërojë konfiskimin e pasurisë të fituar me aktivitete të ngjashme me ato për të cilat është dënuar".

"Në rastet kur personi është dënuar dhe ka pronë e cila është jo-proporcionale me të ardhurat e tij legjitime, gjykata mund të urdhërojë konfiskimin e këtyre pasurive, nëse bindet se këto pasuri janë fituar me aktivitet kriminal
”, deklaroi ministri Kuçi në simpozium.

Kuçi vlerësoi se shtetet e rajonit që shquhen si popuj, që e duan shumë vendin e tyre, duhet të dëshmojnë patriotizmin dhe atdhedashurinë duke e mbrojtur vendin nga dukuritë që e rrezikojnë atë.

Luftimi i krimit të organizuar nuk mund të bëhet vetëm. Prandaj, bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm. Besoj fuqishëm që vendet në rajonin e Ballkanit do të arrijnë atë shkallë të civilizimit dhe bashkëpunimit me njëra tjetrën, sa të lënë anash të gjitha dallimet e tyre politike dhe të bashkëpunojnë më shumë sesa që arrijnë të bashkëpunojnë që kriminelët të përballen me drejtësinë”, u shpreh Kuçi.

Nga ana tjetër, Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Anti-korrupsion ka shprehur serish pakënaqësinë për projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë të veprave penale të dërguar nga Qeveria në Kuvend.

Ky forum e ka konsideruar si të papranueshëm projektligjin, pasi siç është thënë, “as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e shoqërisë kosovare” për rregullimin e fushës së konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

Ndryshe në Simpoziumin Rajonal për Konfiskim dhe Dëshmi Financiare, që është organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, po marrin pjesë përfaqësues nga Republika e Shqipërisë, Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë.

Punimet e këtij simpoziumi do të zgjasin tri ditë ku vendet pjesëmarrëse do të paraqesin përvojat e tyre në konfiskim dhe dëshmi financiare.
XS
SM
MD
LG