Ndërlidhjet

Roli i padiskutueshëm i mediave


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Roli i mediave në shoqëritë moderne po bëhet çdo herë e më i rëndësishëm kanë potencuar në fjalimet e tyre ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson dhe ambasadori amerikan në Shkup, Paul Wohlers.

Këto komente ambasadorët amerikanë i bën gjatë fjalimeve të tyre para një punëtorie të titulluar “Mediat dhe kohezioni shoqëror”, ku merrnin pjesë përfaqësues të mediave nga Kosova dhe Maqedonia.

Ambasadorja Tracey Jacobson tha se roli i mediave kurrë nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa që është në ditët e sotme.

Gazetaria nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme sesa tani, kur po shohim një shpërthim të medieve sociale. Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si gazeta, TV dhe radio, pasi që është shtuar numri i medieve që transmetohen përmes internetit apo medieve ‘online’”, tha ambasadorja Jacobson.

Por, që roli i tyre të jetë me ndikim pozitiv të shoqëri dhe rrjedhat e përgjithshme, nevojitet që të ketë një gazetari të përgjegjshme dhe objektive, theksoi ajo.

Ndërkaq ambasadori Paul Wohlers tha se gazetarët në Kosovë dhe ata në Maqedoni ballafaqohen me probleme afërsisht të njëjta, pasi që u përkasin shteteve me një demokraci të re dhe në ndërtim e sipër.

Të dyja vendet ballafaqohen me çështje, probleme e presione të njëjta, sidomos mediat, pavarësisht nëse flitet për problemet në shoqëri, si tensionet etnike, korrupsioni e tjera. Shtypja që qeveritë e bëjnë mbi gazetarët dhe redaktorët është reale si dhe kriza ekonomike me të cilën ballafaqohen shumica e medieve”, ka thënë ambasadori Wohlers.

Shumëllojshmëria në Kosovë dhe Maqedoni, vijoi ambasadori amerikan, është pjesë e rëndësishme që sjell begati kulturore shoqërore e historike.

Mirëpo, këto dallime, etnike, fetare dhe shoqërore, theksoi ai, mund të keqpërdoren nga individë të caktuar të cilët duan të shkaktojnë mospajtime dhe përçajnë komunitetet.

Andaj, pikërisht këtu, potencoi Wohlers, vjen në shprehje gazetaria e përgjegjshme për hulumtimin e vërtetë të ngjarjeve e rrethanave dhe prezantimin e tyre para publikut.

Krahas informimit objektiv dhe të përgjegjshëm, diplomatët amerikanë e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm përdorimin e mundësive të reja që u ofron sot teknologjia medieve për informimin sa më të shpejtë të publikut.

Pikërisht për këto mundësi dhe teknikat që mund të përdoren, gazetarët nga Maqedonia dhe Kosova më pas kanë pasur rastin që të mësojnë gjatë sesioneve trajnuese të kësaj punëtorie.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG