Ndërlidhjet

“Me çfarë çmimi” kundër dhunës në familje


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, kanë prezantuar të hënën raportin, i cili shqyrton qasjen e shqyrtimit të kostove për parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave, ndjekjen penale të autorëve të saj dhe përkrahjen e rehabilitimit dhe reintegrimit të viktimave.

Projekti është titulluar “Me çfarë çmimi?”.

Osnat Lubrani, koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, ka thënë se Fondi Zhvillimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare kanë punuar në adresimin e fenomenit të dhunës ndaj grave për vite me radhë dhe që atëherë janë vërejtur përparimet.

Por, sipas saj, përkrahësit dhe mbrojtësit e barazisë gjinore duhet gjetur rrugën së bashku me institucionet e Kosovës, që të rrisin përkrahjen financiare për adresimin e çështjes së dhunës në familjet kosovare.

Mendoj se për ne që jemi si avokues të barazisë gjinore, gjithmonë është e rëndësishme që të bëjmë një baraspeshë në mes drejtësisë dhe të drejtave. Në kohën kur Kosova është nën presione të shumta - ashtu sikurse ministri i financave, i cili mbikëqyret nga Fondi monetar Ndërkombëtar, rreth shpenzimeve - ne duhet t’i tregojmë argumentet tona në prezantimin e një pasqyre se ku duhet të jetë Kosova nesër”, tha Lubrani

Projektin e prezantuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, e ka mbështetur edhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Shefja e misionit të kësaj ambasade, Ema Kei, ka theksuar se prioritet i punës së Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, ka qenë mbrojtja e të drejtave të njeriut, me vëmendje të posaçme te dhuna në familje.

Dhuna në familje mund të zhvillohet në forma të ndryshme dhe mund t’i ndodhë çdo kujt në gjithë botën. Viktimat mund të jenë të çdo moshe, gjinie dhe nacionaliteti. Gjendja ekonomike dhe sociale ndikon në këtë fenomen dhe nuk ka të bëj vetëm me Kosovën. Statistikat tregojnë se çdo e treta grua ën botë është rrahur”, tha shefja e Misionit në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës.

Daut Xhemajli ,zëvendës ministër i Drejtësisë dhe Koordinator nacional për zbatimin e Programit të Kosovës kundër dhunës në familje, ka thënë se trajtimi i fenomenit dhe pasojave të dhunës në familje varet nga mjetet buxhetore në dispozicion.

Mangësitë buxhetore do të jenë sfidë për zbatimin e Programit të Kosovës kundër dhunës në familje, si dhe Planit të veprimit për vitet 2013 dhe 2014. Unë duke pasur rolin dhe përgjegjësinë e koordinatorit nacional dhe të Grupit ndërministror kundër dhunë në familje, me kujdesin e veçantë do ta konsultoj këtë vlerësim të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, për çmimin e reflektuar për dhunën në familje, duke besuar se aty ose këtu do ta kemi një bazë të mirë për angazhimet tona”.

Ndërkaq, Igballe Rugova, drejtore ekzekutive e rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë, ka theksuar se rezultatet e hulumtimit që ka bërë ky rrjetë, u janë shpërndarë të gjithë faktorëve relevant.

Ne, sivjet, kemi qenë të interesuara që ky hulumtim të dal sa më cilësor. Prandaj, u kemi dërguar të gjitha transkriptet të gjithë atyre institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që të kenë edhe një herë rastin që ta rishikojnë shumë atë që kanë thënë, sepse jemi të interesuar shumë që ky hulumtim të jetë shumë i dobishëm për të gjithë ata akterë që kanë për të punuar në këtë fushë”.

Ndryshe, sipas raportit të prezantuar, në vitin 2011 shërbimet që ndërlidhen me adresimin e dhunës në familje kanë kushtuar rreth 3 milionë euro, prej të cilave rreth 2 milionë janë ndarë nga shteti dhe mbi një milion nga donatorët.

Po, sipas raportit, Qeveria dhe donatorët kanë ndarë bindshëm më shumë resurse për mbrojtjen e viktimave se sa për parandalimin apo rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave.

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, përmes këtij raporti u ka propozuar institucioneve të vendit disa strategji për t’i tejkaluar sfidat financiare gjatë zbatimit të përgjegjësive ligjore të tyre, lidhur me dhunën në familje.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG