Ndërlidhjet

Situata në Siri “po përkeqësohet”


Alepo, Siri

Alepo, Siri

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, ka thënë se situata në Siri po përkeqësohet.

Ai i ka raportuar të hënën Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vizitën e tij në Damask, ku ka takuar presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe ministrin e Jashtëm, Walid al-Moallem.

Brahimi i ka thënë Këshillit të Sigurimit se regjimi sirian beson se ka rreth 5,000 luftëtarë të huaj në vend dhe se “qeveria, gjithnjë e më shumë, portretizon konfliktin si konspiracion të huaj”.

"Mendoj se nuk ka mospajtime - situata në Siri është jashtëzakonisht e keqe dhe po përkeqësohet. Ajo është një kërcënim për rajonin dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në botë", ka deklaruar Brahimi.

Emisari ndërkombëtar ka thënë po ashtu se populli sirian përballet me mungesa në rritje të ushqimeve.

Shefja e Programit për Ushqim të Kombeve të Bashkuara, Ertharin Cousin, ka thënë se numri i sirianëve në nevojë është rritur në 1.5 milion, nga 250,000 sa ka qenë në muajin prill.

Revolta kundër regjimit të Assadit ka nisur në mars të vitit të kaluar dhe mbi 23,000 persona besohet se janë vrarë në trazira.
XS
SM
MD
LG