Ndërlidhjet

Në Nju Jork nis sot sesioni i AP të OKB-së


Nju Jork

Nju Jork

Fuqitë botërore mblidhen sot në selinë e Kombeve të Bashkuara, për të ndjekur fillimin e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme.

Në mesin e folësve të sotëm është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, si dhe ai i Francës, Francois Hollande.

Në prag të Asamblesë, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka dënuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për, siç ka thënë, mbrojtjen e kokave bërthamore të Izraelit.

Ky i fundit dyshohet se posedon arsenal bërthamor, ndonëse refuzon të zbulojë ndonjë aftësi në këtë drejtim.

Udhëheqësi iranian ka akuzuar po ashtu Këshillin e Sigurimit se përdor kartën e OKB-së për të justifikuar heshtjen mbi filmin anti-islamik, i cili ka shkaktuar protesta në mbarë botën myslimane.

“Profetët hyjnorë dhe fetë qiellore, të cilat janë trashëgimi e përbashkët e njerëzimit, duhet të respektohen nga ligji në të gjitha shoqëritë, në mënyrë që të shmangen konfliktet që çojnë në luftë, urrejtje dhe armiqësi në mes të qenieve njerëzore”, ka thënë Ahmadinejad.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka paralajmëruar Ahmadinejadin për rreziqet e retorikës nxitëse, gjatë takimit të tyre, të dielën në Nju Jork.
XS
SM
MD
LG