Ndërlidhjet

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nis punimet

  • RFE /RL

OKB

OKB

Fuqitë botërore mblidhen sot në selinë e Kombeve të Bashkuara, për të ndjekur fillimin e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme.

Në mesin e folësve të sotëm është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, si dhe ai i Francës, Francois Hollande.

Në prag të Asamblesë, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad, ka dënuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për, siç ka thënë, mbrojtjen e kokave bërthamore të Izraelit.

Ky i fundit dyshohet se posedon arsenal bërthamor, ndonëse refuzon të zbulojë ndonjë aftësi në këtë drejtim.

Deklarata e Ahmadinejadit ka bërë që delegacioni izraelit të braktisë seancën speciale të Kombeve të Bashkuara për sundimin e ligjit.

Udhëheqësi iranian ka akuzuar po ashtu Këshillin e Sigurimit se përdor kartën e OKB-së për të justifikuar heshtjen mbi filmin anti-islamik, i cili ka shkaktuar protesta në mbarë botën myslimane.

Profetët hyjnorë dhe fetë qiellore, të cilat janë trashëgimi e përbashkët e njerëzimit, duhet të respektohen nga ligji në të gjitha shoqëritë, në mënyrë që të shmangen konfliktet që çojnë në luftë, urrejtje dhe armiqësi në mes të qenieve njerëzore”, ka thënë Ahmadinejad.

Më herët, ai u ka deklaruar gazetarëve se Irani është i gatshëm të mbrohet vetë nga sulmet eventuale të Izraelit, duke thënë se shteti hebre “nuk ka rrënjë në Lindjen e Mesme dhe do të eliminohet”.

Prania e Ahmadinejadit në New York ka shkaktuar edhe protesta.

Jemi këtu për të protestuar praninë e Ahmadinejadit dhe të delegacionit iranian në Nju Jork, si dhe për të protestuar vendimin e hotelit ‘Warwick” për të strehuar delegacionin”, ka thënë David Ibsen, drejtor ekzekutiv i organizatës “Të bashkuar kundër Iranit bërthamor”, njëherësh organizatore e protestës.

Në sesionet e mëparshme të Kombeve të Bashkuara, komentet anti-perëndimore të Ahmadinejadit kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ashtu si edhe aktiviteti i tij bërthamor.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka paralajmëruar Ahmadinejadin për rreziqet e retorikës nxitëse, gjatë takimit të tyre të fundit në New York.

Në sesionin e Kombeve të Bashkuara për sundimin e ligjit, Ban ka thënë se ligji duhet të përdoret si bazë për zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Trupi më i gjerë i së drejtës ndërkombëtare, i zhvilluar në Kombet e Bashkuara, i jep komunitetit ndërkombëtar një bazë për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktet, si dhe për të siguruar se nuk ka rikthim të luftimeve”, ka thënë Ban.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili është president i radhës i Këshillit të Sigurimit, ka thënë se ky i fundit duhet të konfirmojë zbatimin me kujdes të sanksioneve.

Sanksionet mbeten një mjet i rëndësishëm në mbajtjen dhe rivendosjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Këshilli ka theksuar nevojën për të siguruar se sanksionet zbatohen dhe janë në mbështetje të objektivave të qarta, me qëllim minimizimin e pasojave të mundshme negative”, ka thënë Westerwelle.

Irani është njëri nga vendet që ka sanksionuar Këshilli i Sigurimit për shkak të programit të tij bërthamor. Perëndimi dyshon se Republika Islamike ka për qëllim krijimin e armëve atomike, por Teherani mohon pretendimet.(v.t.)
XS
SM
MD
LG