Ndërlidhjet

Project Syndicate: Mungesa e debatit per Politikën e Jashtme


SHBA

SHBA

Për të papërvojët, në veçanti, vëzhguesit e huaj, fushata zgjedhore presidenciale në SHBA mund të duket si një rrëfim epik, në të cilin protagonistët kalojnë përmes gjyqeve të ndryshme në rrugën drejt shpëtimit, me mbulimin 24 orë të televizioneve amerikane, që tingëllojnë si një kor grek, shkruan në një artikull të botuar në Project Syndicate, një nga arkitektët e diplomacisë amerikane në të 90-at dhe në vitet 2000, Christopher Hill.

Tash kur konventat republikane dhe demokratike kanë mbaruar, odisejada e presidentit Barak Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mit Romni, vazhdon ne përballjet në tetor.

Debati i partë pritet të ndodhë në Universitetin e Denverit më 3 tetor. Të dy kandidatët kanë marrë kritika(të merituara) gjatë konventave, për shkak të joshjes emocionale të njerëzve, në vend të adresimit të fakteve dhe politikave, shkruan Hill, që ka qenë i dërguar për krizën në Kosovë, gjatë viteve të ‘90-ta.

Ai thekson se 3 tetori është vetëm fillimi, meqë kandidatët për nënpresident do të takohen më 11 tetor, derisa Obama dhe Romney takohen sërish më 16 tetor dhe pastaj në debatin e fundit më 22 tetor.

Politika e Jashtme ka zënë pak vend në fushatë, por, debati i fundit, supozohet se do t’i përkushtohet kësaj teme, rrjedhimisht duke iu dhënë votuesve një pikëpamje më të qëndrueshme se si kandidatët e shohin botën.
Obama ka folur nganjëherë për presidencën e tij mbi politikën e jashtme(edhe pse para fushatës aktuale), përderisa Romney ka thënë fare pak deri tash, thuhet në artikull.

Nga shqetësimi për ta distancuar veten prej trashëgimisë së administratës së mehershme republikane ai kurrë se ka përmendur presidentin George W. Bush dhe ka shmangur përmendjen e dy luftërave në dekadën e kaluar.

Në të vërtetë, kur pranoi formalisht kandidaturën republikane, ai shkoi aq larg sa nuk përmendi trupat amerikane në terren, një lapsus që u shfrytëzua nga demokratët në konventën e javës pasardhëse, vë në pah, Hill që ka qenë edhe ambassador i SHBA-së në Irak nga vitit 2009-2010.

Ironikisht, republikanët kanë qenë ata që janë krenuar në vitet e fundit se i janë përgjigjur thirrjes së presidentit John F. Kennedy “për të paguar çfarëdo çmimi” dhe “bartur çfarëdo barre” në mbrojtje të lirisë.

Por, si Romney ashtu edhe kandidati Paul Ryan, kanë shfaqur pak, ose aspak interes në punët e jashtme, përveç asaj që kanë siguruar votuesit se interesat e Izraelit do të ruhen, nuk do bëhet vullneti i Iranit dhe çkado që të bëjë SHBA do të jetë e ashpër dhe e zëshme, thotë ish asistenti i sekretarit amerikan të shtetit për Çështjet Aziatike dhe Paqësore.

Edhe pse debati i tretë do t’i adresohet çështjeve të politikës së jashtme, shikuesit sigurisht se do të mbesin të uritur për shenjat sa i përket artit të qeverisjes, shkruan Hill.

Politika e Jashtme në politikat amerikane është më shpesh një shpërfaqje e fuqisë sesa e mençurisë.

Mbi Iranin, debati do të jetë se si do të zgjidhet(askush nuk do guxojë të thotë si të menaxhohet) kërcënimi bërthamor duke përdorur sanksione dhe aksione ushtareke. Ka pak të ngjarë të ndodh një diskutim serioz se si të ruhen negociatat shumëpalëshe mes Iranit dhe 6 fuqive, një proces i denoncuar nga shumë ekspertë amerikanë si humbje kohe, vë në pah ish diplomati amerikan, që tani është dekan i Korbel School of International Studies.

Një tjetër pyetje thelbësore, është pozicioni i Kinës në rendin botëror, që nuk ka të ngjarë të diskutohet në ndonjë formë kuptimplote, shkruan Hill.

Në të vërtetë, dikush mund të presë që debati të përqendrohet në atë se si të konfrontohet Kina në planin afatshkurtër më shumë sesa si të ushqehen lidhjet bashkëpunuese.

Shumë amerikanë ende nuk e kanë përqafuar idenë se relacionet mes SHBA-së dhe Kinës janë shumë të mëdha për të dështuar.

Ka të ngjarë që Obama dhe Romney të jenë pajtuar heshturazi që të mos diskutojnë zgjidhjet politike në lidhje me tragjedinë në Siri, sepse asnjëra nuk ka interes në adresimin e kompleksiteteve të brendshme, zgjidhja e të cilave kërkon nxitjen e mbështetjes ndërkombëtare për një zgjidhje eventuale politike.
Në artikull përmenden edhe çështje tjera të politikës së jashtme si varfëria, sturktura e dalë mode e OKB-së, bashkëpunimi ndërkombëtar në lidhje me tragjeditë natyrore e çështjet bërthamore.

“Deshën ose jo amerikanët, me Evropën, Kinën dhe Indinë që janë konsumuar në politikën e brendshme, udhëheqja ndërkombëtare dhe administrimi i problemeve botërore do të mbetët fuqishëm në duart e SHBA-së. E megjithatë, fushata zgjedhore, madje edhe debatet e ardhshme të tetorit, do t’i lënë shumë vëzhgues në hamendje nëse ka aktualisht ndonjë shtet që udhëheq”, shkruan Christopher Hill.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG