Ndërlidhjet

Prishtina kërkon zbatim marrëveshjesh, jo deklarata boshe


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Përveç deklaratave, Serbia me asgjë nuk ka dëshmuar se po zbaton marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, ka deklaruar kryenegociatorja e palës kosovare në bisedimet me Beogradin, Edit Tahiri.

Komentet e saj pasojnë deklaratat e shefit të ekipit negociator të Serbisë, Dejan Paviqeviq, sipas të cilit, Qeveria serbe edhe zyrtarisht e ka njoftuar Brukselin me vendimin për gatishmërinë e pranimit të marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, të njohur si IBM, ndonëse ka kërkuar edhe disa sqarime të kësaj marrëveshjeje.

Mirëpo, në bazë të përvojës së deritashme, pala kosovare konsideron se Beogradi në vazhdimësi u ka ikur zbatimit të marrëveshjeve.

Kryenegociatorja, Edita Tahiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se me disa përjashtime, Serbia ka shmangur ose zvarritur zbatimin e shtatë marrëveshjeve të arritura në bisedimet teknike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Deklaratat apo fjalët kanë qenë të vazhdueshme nga ana e Serbisë, por ato nuk mjaftojnë. Serbia duhet të shkojë përtej fjalëve në vepra dhe t’i zbatojë praktikisht të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e IBM-së. Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga BE-ja që të rrisë trysninë ndaj Serbisë. Nuk kemi parë ndonjë përkushtim substancial nga ana e Serbisë, Pritet të shihet”, thotë Edita Tahiri.

Përveç marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, Serbia nuk ka zbatuar as marrëveshjen për lëvizjen e lirë, atë për kthimin e dokumenteve kadastrale, atë për bashkëpunimit rajonal e tjera, thotë Edita Tahiri.

Në këso rrethana, ajo vlerëson se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa Beogradi të mos ndryshojë qasjen.

Në kuadër të krijimit të klimës për zbatimin e marrëveshjeve, Serbia duhet që t’i shuajë edhe strukturat e saj paralele në Kosovë, thekson zëvendëskryeministrja Tahiri.

Ne konsiderojmë që një prej veprimeve që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve është zhbërja e strukturave paralele, ilegale që veprojnë në pjesën veriore të vendit për të cilat edhe BE-ja, e veçmas Berlini ka bërë të qartë se është një prej kushteve për të krijuar klimën e zbatimit të marrëveshjeve, por edhe krijimit të mundësisë që bashkëpunimi midis dyja shteteve të marr një kahe më pozitive”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se kryenegociatori serb, Dejan Paviqeviq i ka njoftuar autoritetet e BE-së se Qeveria e Serbisë zotohet të zbatojë marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, por me disa sqarime.

Në një letër që Paviqeviq i ka drejtuar BE-së, thuhet se Beogradi dëshmon se e zbaton marrëveshjen e arritur nga Qeveria paraprake serbe me atë të Kosovës, por aty vihet dyshimi për praninë e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare. Përderisa kërkohet të ketë sqarime në lidhje me rolin e pjesëtarëve të EULEX-it në pikat doganore me Serbinë.

Shkëmbimi i letrave me Brukselin, sipas zyrtarëve serbë, nuk nënkupton që Serbia dhe Kosova po vendosin kontrollin e integruar të kufirit, por po fillojnë bisedimet me BE-në për zbatimin e marrëveshjes që Qeveria paraprake kishte nënshkruar në shkurt të këtij viti.

Nga shtatë marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ajo për menaxhim të integruar të kufirit konsiderohet si më e vështira për palën serbe, pasi që zbatimin e saj, besohet se Prishtina do ta interpretonte si njohje të kufirit shtetëror të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sidoqoftë, vet kryeministri serb, Ivica Daqiç ka deklaruar se Beogradi nuk mund t’u ikë marrëveshjeve që tashmë i ka nënshkruar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Qeverinë e tashme apo atë të kaluarën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG