Ndërlidhjet

logo-print

Ndryshimet nuk përfshijnë rekomandimet e OSBE/ODIHR


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Qeveria ka hartuar ndryshimet ne kodin zgjedhor pa përfshirjen e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Partitë opozitare, Lidhja Socialdemokrate dhe Partia Demokratike Shqiptare thonë se në raste se miratohen ndryshimet në formën e propozuar atëherë në Maqedoni me siguri se nuk do të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike.

Vërejtjet e tyre kanë të bëjnë me mospastrimin e listës zgjedhore, anashkalimin e konkluzioneve të grupit të punës që ishte formuar për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha subjekteve politike dhe por edhe shumë vërejtje tjera.

Për fat të keq kështu siç është propozuar në Kuvend, nuk ka asnjë ndryshim nga kodi paraprak përveç disa ndryshimeve sipërfaqësore që në thelb që nuk janë asgjë pasi nuk janë përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-së. PDSH-ja gjithashtu konteston edhe mënyrën e hartimit të këtij propozimi, pa u konsultuar me partitë tjera politike. Ne vlerësojmë se për të sjellë një ligj duhet konsensus, duhet dialog politik”, thotë deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Ai thotë se për të parandaluar formën e tanishme të kodit zgjedhor PDSH-ja do të propozojë amendamente ndërsa ngrit edhe çështjen e regjistrimit të popullsisë që sipas tij përfundimisht do të zgjidhte edhe çështjen e pastrimit të listës zgjedhore.

Me regjistrimin e popullsisë do ta kemi shumë lehtë të bëjmë pastrimin e listës zgjedhore dhe pastaj të përpilojmë ligjin në të cilin do të përfshihen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-së. Kuptohet se ne kemi edhe disa vërejtje tjera që me anë të amendamenteve do të propozojnë parandalimin e dukurive tjera si blerjen e votës dhe frikësimin e administratës shtetërore nga ana e partive që janë në pushtet”, shprehet deputeti i PDSH-së.

Nga qeveria ndërkohë kanë pranuar se ndryshimet në kodin zgjedhor nuk kanë përfshirë të gjitha rekomandimet ndërkombëtare, por, sipas zëvendësministres së drejtësisë, Biljana Boshkovska kjo nuk do të thotë se në kodi do të miratohet në formën e tanishme.

Kodi zgjedhor nuk është mbyllur, kodi zgjedhor edhe më tej do të pësoj ndryshime në drejtim të përfshirjes së të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së. Grupi punues që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë nga fillimi i muajit të ardhshëm do të takohet për të diskuar hapat tjerë”, ka deklaruar zëvendësministrja, Boshkovska.

Por, nga LSDM-ja opozitare kanë shprehur habinë se si mund që të lëshohen në procedurë parlamentare propozime jo të plotë apo që janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Thoni se kodi zgjedhor ende është i hapur dhe se grupi punues do të takohet sërish. Nuk e kam të qartë se pse keni shpejtuar ta lëshoni në procedurë parlamentare, pse e keni miratuar në qeveri kur grupi i punës ende nuk ka mbaruar punën”, ka theksuar Ana Pavllovska nga Lidhja Socialdemokrate.

Opozita thotë se propozimi tanishëm është hartuar vetëm sa për të dëshmuar para BE-së gatishmërinë për ndryshimin e tij e në veçanti para komisionierit për zgjerim Stefan Fule. Ndryshimin në kodin zgjedhor ishin publikuar dy ditë para ardhjes së tij në Maqedoni.

Vërejtjet kryesore të LSDM-së kanë të bëjnë me votimin e diasporës, ndarjen e pushtetit nga fushata zgjedhore, financimin e aktiviteteve zgjedhore, reklamimet në mediume si dhe pastrimin e listës zgjedhore nga 200 mijë votues fiktiv.
XS
SM
MD
LG