Ndërlidhjet

Siri: Shpërthime dhe viktima të reja në Damask

  • RFE /RL

Irani ka bërë të ditur se snajperët në Damask kanë vrarë një korrespondent të televizionit iranian, Press, i cili raportonte në gjuhën angleze. Në sulmin e njëjtë është plagosur edhe shefi i byrosë së këtij televizioni në gjuhën arabe.

Vrasja e Maya Nasserit dhe plagosja e Hussein Mortadas kanë ndodhur pas shpërthimit të dy bombave të mëdha në Damask, pranë selisë së shtabit të përgjithshëm ushtarak.

Ministri për Informim i Sirisë, Omran al-Zohbi, ka thënë se nuk ka viktima nga shpërthimet.

Të dyja shpërthimet, që kanë ndodhur sot në mëngjes, kanë qenë të forta, të mëdha dhe mund të kenë qenë brenda mureve të ndërtesës së shtabit të përgjithshëm”, ka sqaruar al-Zohbi.

Përgjegjësinë për të dyja shpërthimet e ka marrë Ushtria e Lirë Siriane.

Damasku, në këtë mënyrë, po bëhet gjithnjë e më shumë fushëbetejë ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve që luftojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Në rrafshin diplomatik vazhdojnë debatet rreth asaj se si të ndalet konflikti në Siri, i cili tashmë ka hyrë në muajin e 19-të.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se vendi i tij është i interesuar të gjejë rrugë për të ndihmuar mbrojtjen e zonave që kontrollohen nga rebelët sirianë.

Tani është ndryshe nga ajo që ka qenë disa muaj ose javë më parë. Ka zona, të cilat kontrollohen nga forcat opozitare ose nga të cilat Qeveria e Damaskut është tërhequr. Pra, e dimë se si është situata dhe duhet të fillojmë t’i mbrojmë këto zona”, ka thënë Hollande.

Ai i ka bërë këto komente në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila është hapur të martën.

Në këtë takim, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka thënë se konflikti në Siri “është bërë fatkeqësi rajonale me degëzime globale”. Ai ka bërë thirrje për veprim global, për të ndaluar gjakderdhjen.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka premtuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sirianët që bëjnë përpjekje të largojnë presidentit Bashar a-Assad.

Megjithatë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë në gjendje të veprojë në Siri, për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës. Moska edhe Pekini u kanë vënë vazhdimisht veto projekt-rezolutave për sanksione ndaj Damaskut.

Që nga marsi i vitit të kaluar, në Siri kanë humbur jetën mbi 23,000 persona.(v.t.)
XS
SM
MD
LG