Ndërlidhjet

Nuk mund të arrihet paqe e qëndrueshme në rajon me pretendime territoriale ndaj fqinjëve apo me mbajtjen e strukturave ilegale nëpër shtetet tjera, i janë kundërpërgjigjur përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike të Kosovës fjalimit të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Serbia nuk është e gatshme, nuk mundet dhe kurrë, me asnjë kusht, nuk do ta pranoj shpalljen e njëanshme të pavarësisë se krahinës së saj jugore, Kosovës”, ka deklaruar Nikolliq në Nju Jork.

Injorimi i realitetit të krijuar në Kosovën e pavarur apo edhe tendencat për ndarje,
nuk i kontribuojnë paqes e fqinjësisë së mirë, thonë përfaqësuesit kosovarë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se deklaratat si ato të presidentit Nikolliq, nuk mund t’i kontribuojnë paqes në Ballkan.

Mendoj që çështja e njohjes është akti final që duhet të ndodhë midis dy shteteve dhe unë besoj që me kohë do të ndodhë edhe kjo. Por, paqja nuk mund të arrihet duke pasur synime për ta okupuar dikë tjetër apo duke mbajtur peng zhvillimet në rajon. Paqja në rajon ka kuptim vetëm me drejtësi dhe drejtësia është që ne të jetojmë në shtetin tonë, territorin tonë dhe ata në shtetin e territorin e tyre dhe t’i ndihmojmë njëri tjetrit” , ka thënë Kuçi.

Se Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës në një të ardhme të afërt, këtë e kanë shumë të qartë të gjitha subjektet relevante politike në Prishtinë. Por, edhe në mungesë të njohjes, Serbia mund të kontribuojë që paqja në rajon të jetë më e qëndrueshme, thonë ata.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani thotë se nëse për Serbinë njohja e Kosovës tash nuk është në rend dite, ajo mund t’i largon strukturat e saj të sigurisë që i ka vendosur, sidomos në veri të vendit. Në këtë mënyrë, i kontribuohet paqes edhe pa e njohur Kosovën në këtë fazë, thekson Ramadani.

Nuk është e domosdoshme që Serbia në afat sa më të shkurtër ta njeh shtetin e Kosovës. Ajo do të ishte ideale në kuptimin e marrëdhënieve bilaterale. Por, mbi të gjitha, Serbia duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, edhe zyrtarisht se nuk ka çfarë të kërkon në Kosovë me strukturat e veta ilegale brenda territorit tonë”, thotë Ramadani.

Në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, delegacionet shtetërore nga Kosova dhe Serbia po e shfrytëzojnë rastin edhe për lobime politike, ndonëse qëllimet janë krejtësisht të kundërta njëra me tjetrën.

Serbia, vazhdon të angazhohet kundër njohjeve të reja të Kosovës, përderisa Kosova kërkon nga vendet që nuk e kanë njohur atë që ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndërkohë që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Catherine Ashton i ka paralajmëruar Prishtinën dhe Beogradin se së shpejti mund të ballafaqohen me vendime të vështira.

Paralajmërimet e baroneshës Ashton vijnë në kohën kur Brukseli po përgatit nisjen e takimeve në nivele të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG