Ndërlidhjet

Takimet për zbatimin e IBM-së "pas dy javësh"


Ilustrim
Ilustrim
Zyrtarët e Beogradit kanë thënë se takimi i parë mbi zbatimin e marrëveshjes për vendkalimet kufitare mund të fillojë pas 2-3 javësh.

I ngarkuari i Serbisë në ekipin negociator, Dejan Paviqeviq ka thënë ditë më parë se Qeveria serbe edhe zyrtarisht e ka njoftuar Brukselin me vendimin për gatishmërinë e pranimit të marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, të njohur si IBM, ndonëse ka kërkuar edhe disa sqarime të kësaj marrëveshjeje.

Ndërkohë, ai për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ka thënë se në Bruksel është arritur pajtueshmëria që bisedimet teknike të vazhdojnë dhe të formohen grupet punuese.
Ai ka thënë se pret që kjo të fillojë pas 2 javësh, ose pas 20 ditëve.

Sipas tij, ekipet do të jenë të niveleve të ndryshme: politike, të eskpertëve dhe minstrore.

Ndërkohë, duke komentuar marrëveshjen e njëjtë, e cila në Kosovë njihet si Marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndërsa në Serbi, si Marrëveshje për Vendkalimet Administrative, drejtori i Zyrës për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se “është i papranueshëm synimi i palës shqiptare, që të shndërrojë linjat administrative në kufi.

“Kalimet kufitare nuk janë të mundura. Për ne ekzistojnë vetëm doganat e UNMIK-ut. Ne nuk i njohim doganat e Kosovës”, ka thënë Vulin për gazetën “Novosti”

Ndërkohë autoritetet kosovare kanë akuzuar Beogradin për mosgatishmëri për zbatim marrëveshjesh të arritura në Bruksel.

Përveç marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, Serbia nuk ka zbatuar as marrëveshjen për lëvizjen e lirë, atë për kthimin e dokumenteve kadastrale, atë për bashkëpunimit rajonal e tjera, thotë kryenegociatorja e Kosovës Edita Tahiri.

Në këso rrethana, ajo vlerëson se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa Beogradi të mos ndryshojë qasjen.

Në kuadër të krijimit të klimës për zbatimin e marrëveshjeve, Serbia duhet që t’i shuajë edhe strukturat e saj paralele në Kosovë, thekson zëvendëskryeministrja Tahiri.
XS
SM
MD
LG