Ndërlidhjet

logo-print

Pond: Kosova e Serbia në BE, përmes modelit të dy Gjermanive


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

“Njëri nga opsionet (për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë) është precedenti i marrëveshjes ndërmjet të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore në kohën e Luftës së Ftohtë, nëpërmjet të së cilës u normalizuan marrëdhëniet, pa e njohur formalisht njëra-tjetrën”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Elizabeth Pond nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike - njëherësh autore e librit “Fundloja në Ballkan”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, këto ditë ka pasur shumë deklarata të ndryshme prej Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit sa i përket perspektivës së dialogut të ardhshëm ndërmjet Kosovës e Serbisë. Veriu pritet të jetë tema qendrore e këtij dialogu politik, por gjërat mbesin ende të paqarta kur bëhet fjalë për pasqyrën kohore dhe nivelin e përfaqësimit në këtë dialog. Çfarë mendoni ju?

ELIZABETH POND
Mendoj se jemi para një kohe kruciale dhe pajtohem se veriu dhe çështjet e ndërlidhura me të do të jenë tema kryesore. E them se do të jetë një kohë kruciale, sepse tani BE-ja ka më shumë ndikim mbi Serbinë. Qeveria e re, pavarësisht prapavijës së saj ultranacionaliste, dëshiron që vërtetë të bëhet anëtare e BE-së, gjë që po e demonstron. Ata e dinë se për ta bërë këtë duhet të arrijnë një lloj marrëveshje për veriun e Kosovës.

Natyra e kësaj marrëveshjeje mbetet diskutabile, por fakt është se ajo do të jetë e nevojshme. Ata duan një datë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE në vitin e ardhshëm - për pranverën apo për fundin e vitit të ardhshëm. Ultranacionalistët që janë tani në pushtet janë ata që mund të merren me Kosovën dhe Bashkimin Evropian me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje - gjë që nuk kanë mundur ta arrijnë më të moderuarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, ende mbetet e paqartë pasqyra kohore. A mund të pritet një dialog më politik ndërmjet palëve para fundit të këtij viti?

ELIZABETH POND
Nuk di për afatin e caktuar kohor. Mund ta paramendoj se ai do të nis para fundit të këtij viti, por nuk e di. Ajo që është e nevojshme është që pala serbe të vazhdojë kursin drejt negociatave me Prishtinën dhe Brukselin.

Ata duhet t’i zhbëjnë strukturat e paligjshme të sigurisë në veri, që do të jetë pjesa më e vështirë për ta bërë. Deklarata e zotit Paviçeviq se zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit do të zbatohet brenda dy javëve të ardhshme është një sinjal shpresëdhënës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, i përmendët deklaratat e bëra në Beograd - zyrtarët atje thonë se janë të gatshëm të angazhohen në këtë dialog, por presidenti Tomislav Nikolliq tha se Serbia nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës. A do të duhej të kushtëzohej anëtarësimi i Serbisë në BE me njohjen e Kosovës?

ELIZABETH POND
Mendoj se BE-ja po e shqyrton këtë çështje me shpresën për të gjetur një zgjidhje të dyanshme. Një nga këto opsione që është përmendur ditëve të fundit është precedenti i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, me të cilën qenë normalizuar marrëdhëniet pa e njohur formalisht me njëra-tjetrën, në kohën e Luftës së Ftohtë.

Kjo kërkon një angazhim të shtuar diplomatik, por mendoj se BE-ja po ecën në këtë drejtim. Ajo që mund të them nga bisedat që po zhvillohen në Berlin dhe Uashington është se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke i bashkuar forcat për krejt këtë çështje. Në të kaluarën, liderët në Kosovë janë mbështetur më shumë në Shtetet e Bashkuara. Por, në këtë çështje nuk mendoj se ka ndonjë dallim ndërmjet BE-së dhe SHBA-së.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Dialogu është dizajnuar, në fakt, për t’i normalizuar raportet me qëllim që të dyja palët të përfitojnë diçka në integrimin e tyre në BE. A mund të flitet për një proces të tillë?

ELIZABETH POND
Në fakt, është BE-ja ajo që dëshiron të flasë për një proces nga i cili përfitojnë të dyja palët. BE-ja synon mënjanimin e idesë së kufijve që ndajnë shtetet duke insistuar në idenë që kufijtë në BE të bashkojnë shtetet - pra që kufijtë të humbin rëndësinë kur të gjithë ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky është synimi.

Specifikat e ndonjë marrëveshjeje ndërmjet palëve mbesin të pacaktuara, por kornizat kryesore janë të qarta. Beogradi do të duhet të heqë dorë nga strukturat e paligjshme paralele që ka në veri, ndërsa Prishtina duhet të pranojë se bisedimet do të jenë politike, edhe nëse nuk i pëlqen kjo.

Të dyja palët duhet të bëjnë shumë për të ndalur krimin e organizuar në veri, ku kriminelët bashkëpunojnë shumë mirë pavarësisht etnisë së tyre. Do të duhej të krijohej situata që qeveritë e të dyja palëve të jenë në gjendje të rikthejnë kontrollin mbi tatimet që kanë humbur për shkak të kontrabandës. Atëherë, mund të flitej për një proces nga i cili do të përfitonin të dyja palët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG