Ndërlidhjet

Këshilli për të Drejta i OKB-së miraton rezolutë për Sirinë


Damask
Damask
Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila dënon dhunën e forcave qeveritare të Sirisë.

Rezoluta po ashtu zgjat edhe për gjashtë muaj mandatin e ekipit të OKB-së për të hetuar krimet e luftës në Siri.

Mekanizmi me seli në Gjenevë ka miratuar rezolutën e paraqitur nga shtetet arabe me 41 vota në favor, nga totali prej 47.

Tre vende, Kina, Kuba dhe Rusia, kanë votuar kundër rezolutës, ndërsa tre të tjera kanë abstenuar.

Paneli hetues, i udhëhequr nga profesori brazilian, Paulo Sergio Pinheiro, ka fajësuar forcat qeveritare të Sirisë për shumicën e shkeljeve serioze që nga shpërthimi i kryengritjes, në mars të vitit të kaluar.

Mandati i panelit pritej të skadonte në fund të këtij muaji.

Forcat kryengritëse në Siri duan largimin e presidentit Bashar al-Assad nga pushteti.

Mbi 27,000 persona thuhet se kanë humbur jetën nga trazirat dhe dhuna.
XS
SM
MD
LG