Ndërlidhjet

logo-print

Retorika në funksion të politikës ditore


Gjorgje Ivanov në OKB

Gjorgje Ivanov në OKB

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, edhe në takimin e së enjtes me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, ka kërkuar që ky i fundit të investojë autoritetin dhe të angazhohet për zhbllokimin e bisedimeve me Greqinë rreth emrit, si dhe për respektimin e aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Nga ky vend, zemra e Kombeve të Bashkuara, i bëj thirrje vendit tonë fqinj tonë jugor, të respektojë vendimin e GJND-së dhe t`i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sot, në shekullin 21, duket absurde që dikush të kushtëzohet si ish-shtet ose ish-koloni”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë para anëtarëve të Asamblesë.

Menjëherë pas kësaj, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Avramopulos duke theksuar se Maqedonia po përhapë irredentizëm, kurse presidenti Gjorge Ivanov po përdorë retorikë të shekullit 1,9 me thirrjet e tij tek anëtaret e OKB-së, se “me Maqedoninë duhet të sillet ashtu siç i ngjan shekullit 21”.

Gjersa analistët politikë thonë se qëndrimi i udhëheqësve më të lartë shtetëror që të respektohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, aspak nuk i hapë rrugë zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, ngase insistimi i Shkupit në respektimin e vendimit të GJND-së nga Athina, gjithmonë konsiderohet si provokim.

Në këtë kuptim vërtetë nuk e kamë të qartë fuqizimin e politikës maqedonase, kur ekonomia e tregut kërkon bashkëpunim dhe stabilitet të brendshëm, njëkohësisht zgjerimin e tregut me vendet fqinje dhe më pas me botën e tërë. Maqedonia e bën të kundërtën, ne thjesht si shtet u izoluam tërësisht për hir të shërimit të frustracioneve nga e kaluara”.

Lidhur me ko-ekzistencën e politkbërjes maqedonase, mendoj se gjithmonë duhet pasur parasysh se negociatat kërkojnë fleksibilitet dhe jo ko-ekzistencë në qëndrime atë që e shohim çdo ditë nga demonstrimi i politikaneve maqedonas”, theksoi analisti politik, Albert Hani.

Ndërkohë, analisti maqedonas Petar Arsovski, vlerëson se politika e jashtme e Maqedonisë, pikë referimi ka politikën ditore e cila ka për qëllim ruajtjen e rejtingut të partisë së kryeministrit Gruevski, dhe assesi gjetjen e rrugëve që do të çonin kah kompromisi me Greqinë.

Përderisa garnitura aktuale nuk angazhohet për arritjen e një konsensusi mes partive kryesore politike të Maqedonisë, edhe qëndrimi i politikbërjes karshi kontestit me Greqinë do të lëvizë nga njëri skaj në tjetrin, varësisht çka mund të servohet si joshje për elektoratin dhe jo çka është me interes për të ardhmen e shtetit”, thekson Petar Arsovski.

Ndryshe, ndërmjetësuesi në bisedimet Maqedoni-Greqi për emrin, Methju Nimic, pas takimit që ka realizuar të premten me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov në Nju Jork, ka paralajmëruar se takimi i radhës mes dy negociatorëve Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis, pritet të realizohet në fund të muajit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG