Ndërlidhjet

“Loja” e rrezikshme e Nikolliqit


Tomisllav Nikolliq në Asamblenë e Përgjithshme në OKB

Tomisllav Nikolliq në Asamblenë e Përgjithshme në OKB

Pavarësisht kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, insistimit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe Bundestagut gjerman, Serbia këmbëngulë se nuk do t’i shpërbëjë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës.

Këtë e thotë edhe deklarata e fundit e presidentit serb Tomisllav Nikolliq, të cilën ai e ka dhënë pas takimit me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Por, njohësit e rrethanave politike në Kosovë, i vlerësojnë deklaratat e Nikolliqit, si një lojë taktike të kreut serb, fundi i së cilës nuk do të jetë ashtu siç e thotë ai.

Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, pas takimit me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka deklaruar se Serbia nuk do ta bëjë asnjë hap që qon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe shpërbërjen e strukturave ilegale në veri të Kosovës, të cilat ai i ka quajtur institucione të Serbisë.

Unë edhe në fjalimin tim para Këshillit të Përgjithshëm kam thënë se ne kemi ardhur në fund të përmbushjes së kërkesave, për të cilat edhe vet e kemi parë se qojnë drejt pavarësisë së Kosovës. Ne nuk do të bëjmë më asnjë hap, me të cilin do t’i ofroheshim pavarësisë së Kosovës. Kjo për të cilën flitet, janë hapa drejt heqjes së çfarëdo pranie të Serbisë në territorin e Kosovës dhe një gjë e tillë është e pamundur të kërkohet nga kjo qeveri”, ka thënë Nikolliq.

Deklaratën e tij, njohësit e rrethanave politike në Kosovë e shohin si vazhdimësi të politikës së Serbisë, por të përshtatur në rrethana të reja.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se deklaratat e Nikolliqit nuk duhet marrë seriozisht.

Ajo që po e shoh unë, është se, në esencë, Serbia tash e ka kuptuar se çështja e dialogut nuk është aq e ngutshme dhe se tash sigurisht do të shtyhet fillimi i procesit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Do të shtyhet, nuk do të programohet për dhjetorë, por ndoshta më vonë. Këto janë sinjale se bisedat për Serbinë nuk janë më aq të ngutshme dhe tash ata edhe për nevojat e brendshme taktizojnë”.

Analisti Ismajl Hasani, thotë se pretendimet e Nikolliqit se kanë bërë lëshime ndaj Kosovës nuk qëndrojnë, sepse sipas tij, deri më tash, ai, ashtu sikurse edhe paraardhësi i tij Tadiq, nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe madje, nuk i kanë përmbushur as marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut teknik .

Hasani thotë, se deklarata e Nikolliqit është pamatur.

Unë mendoj se deklaratat e tilla, sado që ua dhanë një vend të rëndësishëm - sepse Nju Jorku është qendër e vendim-marrjes në përmasa botërore – ato mund të jenë një lloj i deklaratave jo të matura, të stilit serb, një lloj deklarate, e cila jo që nuk peshon, sepse është deklaratë për shtyp, por, megjithatë, është në vazhdën e atyre deklaratave të lidershipit të papërgjegjshëm serb”, shprehet ai.

Deklarata e presidentit serb Nikolliq, vjen pas deklaratës së kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale”.

Por, analisti Maliqi vlerëson se qëndrimet që së fundmi po i shpërfaqin autoritetet e larta në Serbi, janë në funksion të, siç e quajti ai, “ngritjes së pazarit”.

Ata, me këtë strategji, mundohen të nxjerrin sa më shumë ose lypin ndonjë koncesion tjetër, në Bosnjë ose diku tjetër. Është diçka që është taktikë e njohur e Serbisë, e shteteve që kanë njëfarë kësi tradite. Është njëfarë loje mjaft e rrezikshme, por me këtë strategji, deri tash, ka bërë politikë Tadiqi. Tash edhe Nikolliqi po e vazhdon në të njëjtën mënyrë”, thekson Maliqi.

Por, analisti Hasani, vlerëson se Serbia herët ose vonë do të gjendet para asaj që të zgjedhë ndërmjet pretendimeve të saj ndaj Kosovës apo integrimit në Evropë.

Serbia është e nevojshme që të ndërgjegjësohet përfundimisht, sepse politike dhe qendrat e ndryshme vendim-marrëse nuk mund t’i shkojnë për çdo ditë ‘te sporteli’ Serbisë dhe ta pyesin për disponimin e saj a është gjendje apo nuk është në gjendje të heqë dorë prej Kosovës”.

Ndryshe, zyrtarët serbë kanë deklaruar se Serbia e ka ndërmend që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun teknik me Kosovë, ndonëse, siç kanë thënë, disa prej tyre janë “marrëveshje politike”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG