Ndërlidhjet

Opozita: KASH, dokument pa perspektivë ekonomike


Ilustrim

Ilustrim

Rritja dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, qeverisja e mirë, fuqizimi i sundimit të ligjit, zhvillimi i resurseve njerëzore dhe rritja e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët, janë prioritetet e ekzekutivit të paraqitura në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2013-2015.

Por, përfaqësues të partive opozitare në vend, janë skeptikë në përmbushjen e këtyre objektivave, pasi sipas tyre, këto prioritete kanë figuruar edhe në kornizat e mëhershme.

Hikmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thekson se ekzekutivi nuk i merr për bazë asnjëherë prioritet e paraqitura në dokumentet strategjike.

Sipas saj, prioritetet ndryshojnë varësisht nga interesat e qeverisë. Ajo thotë se dokumenti në fjalë konfirmon perspektivë të zymtë ekonomike dhe sociale.

Pavarësisht që kemi një kornizë, planet e qeverisë ndryshojnë ad-hok. Aty ku nuk mund të realizohen, ata nuk e kanë problem që t’i ndryshojnë. Do të thotë nuk është një dokument në të cilin qind për qind bazohen veprimet dhe aktet e qeverisë. Ne kemi parë edhe herën tjetër që janë ndryshuar”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në dokument thuhet se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik do varet nga përmirësimi i ambientit për biznes, vazhdimi i investimeve në projekte madhore, rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar dhe rajonal.

Haki Shatri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pohon se viteve të fundit, ekzekutivi në dokumente vetëm po ndërron vitet dhe shifrat, dhe si të tillë, po e bëjnë dokument joserioz dhe jo obligues.

Ai madje konsideron se autoritet kompetente mundohen të orientohen vetëm në vitin vijues, konkretisht në vitin 2013, kurse dy vitet e ardhshme paraqiten si formalitet në kornizë.

Duke u nisur nga kjo, rezulton se të gjitha synimet që janë paraparë aty, parashihet vetëm hapi i parë të realizohet, ndërsa nuk parashihet si të mbyllen ato. Dhe në këtë mënyrë unë dyshoj se këto politika në këtë mënyrë të sjelljes mund të realizohet ndonjë synim që është përcaktuar aty”, shprehet Shatri.

Në fushën e drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit, korniza nuk siguron kushte bazë që sistemi i drejtësisë të funksionojë në mënyrë efikase, thonë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, Shpend Ahmeti nga kjo lëvizje, thotë se në aspektin ekonomik nuk pritet ndonjë rritje ekonomike, rritje të numrit të punësuarve, por vetëm shpenzime në mallra dhe shërbime.

Kjo qeveri në vitet e fundit, vetëm sa ka hapur agjenci të reja, ndërsa tani kemi katër apo pesë institucione të cilat quhen institucione kundër korrupsionit, mirëpo nuk ka asnjë pjesë të vogël të luftës kudër korrupsionit, që do të ishte një shtet normal. Prandaj, kjo duhet të shihet në vepra dhe jo në dokumente ku deklarohen se do të luftojnë korrupsionin”, thekson Ahmeti.

Në anën tjetër, Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, thotë se prioritetet do të përmbushen përmes mekanizmave të tregut me institucionet e shtetit, si ndihmesë për të rregulluar sektorë të caktuar dhe për të punuar në përmirësim të mirëqenies se qytetarëve të Kosovës.

Prioritet e paraqitura në kornizë janë të ndërlidhura ngushtë me performancën ekonomike dhe rritjen e saj. Financimi për arritjen e këtyre prioriteteve është duke u bërë në harmoni më ligjin e buxhetit. Dhe në këtë drejtim mund të thuhet se ky dokument përfshin prioritete të tilla, të cilat janë të realizueshme dhe janë duke u realizuar”, thotë Ibra.

Përmbushja e këtyre prioriteteve të qeverisë, thuhet në Kornizë, përfshin reformat e domosdoshme në sektorë të caktuar, përmes të cilave do të bëhet plotësimi i parakushteve ekonomike, sociale dhe institucionale për përafrimin e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG