Ndërlidhjet

WSJ: Rrugë qorre në Ballkan


Harta e Ballkanit
Harta e Ballkanit
Ju mund të largoni një politikan nga Ballkani, por është vështirë ta largoni Ballkanin nga politikani, shkruan gazeta “Wall Street Journal”.

Sipas saj, ndeshjet e rastit ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë këtë javë në Nju Jork, kanë qenë leksion për konfliktin e pazgjidhur, por jo të nxehtë në Evropën Juglindore.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, një nacionalist që do anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, nuk flasin mes vete. Por, java e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e ka bërë të vështirë për kundërshtarët që të shmangin njëri-tjetrin, shkruan gazeta.

Të mërkurën, të dy liderët kanë qenë në pritje për udhëheqësit evropianë. Nikolliqi, sipas gazetës, ka dalë pa përfillur liderin kosovar, ndërsa janë takuar ndarazi me shefen për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

E përditshmja “Wall Street Jorunal” e cilëson këtë si mundësi për të bërë një eksperiment. Ajo kujton këtu mesazhin e zotit Thaçi:

“Për të është më e lehtë se për liderët tjerë serbë që të shkëpusë veten nga e kaluara nëse do që të ndihmojë Serbinë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore me Kosovën do t’i ndihmonin Serbisë. Ai është zgjedhur për t’u marrë me të ardhmen dhe jo me të kaluarën. Ne po mbajmë peng njëri-tjetrin”, ka thënë Thaçi.

Duke plasur në gaz, lideri kosovar ka shtuar: “I thoni atij se nuk duhet të largohet nga salla kur unë jam aty. Nuk ka nevojë të djersitet”.

Gazeta shkruan se Thaçi ka takuar dhe shtrënguar duart me paraardhësin e Nikolliqit, Boris Tadiq, por politikani liberal nuk ka marrë guxim të bëjë kompromise për Kosovën, nga frika e reagimit nacionalist.

Disa orë më vonë, duke u ulur në të njëjtën karrige ku është ulur lideri kosovar, presidenti serb ka thënë se “ka problem me zotin Thaçi”.

Nikolliq, me këtë rast, ka vënë në dukje raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ka akuzuar komandantët kosovarë të luftës, përfshirë zotin Thaçi, për trafikim të paligjshëm të organeve të të burgosurve serbë. Bashkimi Evropian është duke hetuar akuzat.

Sipas gazetës, lideri serb ka qenë për kohë të gjatë mik i nacionalistit Vojisllav Sheshel, i cili po gjykohet për krime lufte në Gjykatën e Hagës, dhe ka dhënë këtë deklaratë:

“Mua nuk më akuzon askush për krime lufte. Unë nuk mund të shtrëngoj duart me Thaçin, për aq kohë sa ekzistojnë dyshimet për krime lufte”, ka thënë Nikolliq.

Por, presidenti serb ka mirëpritur ndërmjetësimin eventual të zonjës Ashton.

“Jam plotësisht i hapur për ndërtimin e një të ardhmeje të re në Ballkan, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbët dhe shqiptarët duhet të bëjnë marrëveshje, jo Thaçi dhe Nikolliq”, ka thënë ai.

Zoti Thaçi, i cili akuzat e Martyt i quan “trillim”, thotë se Kosova do të shkojë përpara drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO, me ose pa zgjidhje me serbët, shkruan “Wall Street Journal”, duke kujtuar edhe përgjigjen e Nikolliqit.

“Ne nuk do të njohim kurrë pavarësinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Megjithatë, Nikolliqi ka thënë se e di që Serbia nuk mund t’i bashkohet BE-së pa marrëveshje me Kosovën dhe se Serbia nuk ka zgjedhje tjetër, pos anëtarësimit në BE. Me standardet e Ballkanit, ky është përparim, shkruan “Wall Street Jorunal”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG