Ndërlidhjet

Zgjedhjet 2012: Ballafaqimi me gratë amerikane


Gjatë fushatës
Gjatë fushatës
Që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 1980, ka ekzistuar një hendek, ku gratë kanë preferuar kandidatët e Partisë Demokratike me një margjinë të gjerë.

Çka qëndron prapa këtij mosbalancimi? Dhe pse kandidati Mitt Romney, sikurse edhe parardhësit e tij, kanë pasur telashe me sigurimin e bllokut më të madh votues në Amerikë?

Çka iu intereson më së shumti grave amerikane?

Kjo është ajo që po përpiqen ta zbulojnë Barack Obama dhe Mitt Romney derisa të dytë po zhvillojnë betejën në një fushatë që synon votën thelbësore të femrave në këto zgjedhje.

Që të dy fushatat po bëjnë një luftë të ashpër, thotë Joanne Bamberger, një blogere politike dhe autore e librit “Nënat me Qëllime: Si gratë dhe mediat sociale po e revolucionalizojnë politikën në Amerikë”.

"Gratë përbëjnë shumicën e votuesve në SHBA. Gratë tradicionalisht, në zgjedhjet presidenciale të kaluara, 3-4 apo pesë herë me radhë, kanë qenë votueset vendimtare. Gratë përbëjnë 51 për qind të elektoratit dhe mbi 50 për qind të atyre, që në fakt votojnë. Prandaj, në secilën fushatë nacionale, kandidatët e dinë se ato përbëjnë votat që duhet t’i fitojnë”, thotë Bamberger.

Dhjetë milionë femra më shumë sesa burra kanë hedhur votat në vitin 2008 dhe shumica, me një margjinë prej 13 për qind, kanë votuar për Obamën.

Ky rezultat vjen në linjë me trendin historik të femrave që votojnë për demokratët, që pjesërisht shpjegon pse presidenti është aq larg nga Romney në sondazhet mes votueseve.

Në të gjitha shtetet e rëndësishme, por të lëkundura, ku të dy kandidatët kanë mbështetje të fuqishme, Obama udhëheq me 52 ndaj 39 për qind. Në plan mbarëkombëtar në mesin e femrave ai udhëheq me 29 për qind.

Preferencat

Preferenca e femrave për kandidatët demokratë ka të bëjë me shqetësimet e përbashkëta, thotë Martha Burk, një psikologe politike, dhe nikoqire e një programi në radion publike. Ajo për të cilën femrat brengosen- gjërat si pushimi i paguar familjar, paga e barabartë, arsimimi- janë gjëra për të cilat brengosen edhe demokratët.

“Demokratët janë më liberalë në çështjet sociale, dhe femrat janë të prirura të jenë më liberale në çështjet sociale. Gratë, për shkak se fitojnë më pak, janë më të margjinalizuara në disa pjesë të shoqërisë dhe më shumë të varura nga rrjeti social".

"Republikanët nuk e mbështesin rrjetin e sigurisë sociale në shkallën sa demokratët, prandaj gratë historikisht kanë votuar më shumë për demokratët, sepse ato kanë nevojë për shërbimet që i ofrojnë demokratët”,
tha Burk.

Nuk është që republikanët janë kundër këtyre gjërave. Mospajtimi i tyre politik për qeveri të madhe, nënkupton se ata nuk duan të shpenzojnë para te ato gjëra, nga të cilat demokratët thonë se goditen në mënyrë dispororcionale më së shumti femrat.

Në këto zgjedhje, dallimi mes Obamës dhe Romney-t ka qenë më i mprehtë në këto çështje.

Një nga veprimet e para të Obamës si president ka qenë nënshkrimi i aktit “Lilly Ledbetter Fair Pay” –një ligj që iu jep femrave më shumë kohë për të dorëzuar padinë ndaj punëdhënësve të tyre për diskriminim.

Senatorët republikanë pro-biznesit kanë bllokuar ligjin që kërkon paga të barabarta në punë, ku gratë fitojnë mesatarisht 78 centë për çdo dollar që fiton një burrë.

Demokratët kanë miratuar gjithashtu edhe Aktin për Kujdesin e Përballueshëm, që mes tjerash, lejon fëmijët të mbulohen nga sigurimi shëndetësor i prindërve të tyre deri në moshën 26 vjeçare dhe i detyron kompanitë e sigurimit, që të mbulojnë shpenzimet për kontrollimin e lindjes.


Shtizat thyhen për "Obamacare"

Romney thotë se do të revokojë “Obamacare” dhe nuk do të kërkojë mbulimin e kontrollit të lindjes.

Obama mbështet të drejtën e grave për abort, derisa Romney dëshiron vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 1973 që rrëzon këtë të drejtë.

Obama gjithashtu mbështet themelimin e planifikimit familjar, kujdesi shëndetësor më i madh në vend për gratë që fitojnë pak, e në të cilin përfshihet kontrolli i lindjeve dhe aborti. Romni do ta zhbënte këtë.

Lufta në lidhje me atë se cili kandidat është më pro-grave mori një kahje të shëmtuar në këtë verë, me demokratët që akuzonin republikanët për bërjen e një ‘luftë ndaj grave' dhe republikanët që ia kundërvënin shkallën e lartë të papunësisë që ka vazhduar nën Obamën, si luftë të vërtetë ndaj grave.

Romney gjatë fushatës për revokimin e "Obamacare"
Romney gjatë fushatës për revokimin e "Obamacare"
Femrat pro Romney-it si Diana Furchgott-Roth, një ekonomiste në Institutin Manhattan, thotë se plani ekonomik i Romney-t do të ndihmojë më shumë gra sesa cilido program tjetër qeveritar. E pyetur që të numërojë tri çështje kryesore për gratë në zgjedhje ajo thotë:

“Ekonomia, ekonomia, dhe ekonomia. Femrat janë shumë të shqetësuara në lidhje me ekonominë. Ato shohin se si anëtarët e familjes dalin nga puna, e shohin veten potencialisht duke humbur punën, ose duke mos qenë në gjendje përparojnë në vendin e tyre”, thotë Furchgott-Roth.

Ajo thotë se reformimi i sistemit të taksave, që është në qendër të politikës ekonomike të Romney-t, do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të kijojë vende të reja pune. Shkurtimet e shpenzimeve do të reduktojnë borxhin e qeverisë.

“Deficiti ynë është shumë i madh. Ne kemi borxh kombëtar prej $16 trilionë dollarësh. Ne jemi duke ia kaluar këto kosto fëmijëve dhe nipërve tanë. Diçka duhet këputur. Të gjitha gratë inteligjente e kuptojnë këtë”, thotë Furchgott-Roth.

Por, në qoftë se kjo është e vërtetë, pse sipas saj, Romney është i papëlqyeshëm në mesin e grave votuese?

“Ai nuk e shpjegon si duhet se pse shkurtimet e taksave rezultojnë në rritjen ekonomike”, thotë ajo.

Burk pajtohet:

“Romney nuk ka qenë mjaft specifik në lidhje me ekonominë”, thotë ajo.

Ngjashëm thotë edhe Bamberger:

“Arsyeja që ai nuk rezonon te grate është se nuk është një komunikator efektiv në lidhje me atë se çka do të bënte ai si president”, thotë Bamberger.

Fushata e zotit Obama thotë se tashmë ka tërhequr disa votuese nga Partia Republikane.

Këto gra, të cilët thonë se njëherë kanë mbështetur kandidatët republikanë, tani janë shfaqur në një spot zgjedhor të fushatës së Obamës.

“Nuk ka shansë që në këtë tokë të gjelbër të Zotit, unë të shqyrtoj votimin për republikanët”.

“As që dua të mendoj se ata mund ta marrin kontrollin. Si grua, nuk mundem”, thotë një grua tjetër.

E treta thotë se “nëse jeni një grua konservatore dhe besoni në një qeveri të vogël, atëherë Barack Obama është kandidati juaj.”

Romney ka pak më shumë se një muaj për të ndryshuar mendjet e tyre.(a.i.)
XS
SM
MD
LG