Ndërlidhjet

Që marrëdhënia me diasporën kosovare të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë të tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre, Kosova duhet të bëhet një vend ku sundon ligji, ku zhvillohet luftë e rreptë kundër korrupsionit dhe ku mbizotëron një mjedis i favorshëm për biznes.

Këto vlerësime dolën nga një debat diskutimi me temën “Roli i Diasporës Kosovare në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës”, i organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës në partneritet me Institutin për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli bëri të ditur se ka pasur interesim nga bashkatdhetarët për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore në Kosovë, por që sipas tij, për këtë ka hezitime nga ana e ministrisë.

Kemi pasur dhe kemi hezitim në këtë drejtim pasi që duke pasur parasysh që në të kaluarën, në mërgatën tonë janë themeluar fonde të ndryshme të cilat nuk kanë lënë një shije të mirë në mërgatë. Tani jemi duke parë forma përmes se cilave do të ishin në funksion të vetë mërgimtarëve të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë”, theksoi Makolli.

Dy nga fondet që ishin krijuar para luftës së fundit në Kosovës, në të cilat kontribuuan emigrantët kosovarë dhe qytetarët që jetonin në Kosovë, ishin fondi i ashtuquajtur “3 për qind” dhe fondi “Vendlindja thërret”.

Sipas një hulumtimi të bërë nga instituti “Riinvest”, përafërsisht 70 për qind e emigrantëve dërgojnë remitenca te familjet e tyre në Kosovë.

Ndërsa, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës çdo vit dërgesat e emigrantëve kapin vlerën mbi 500 milionë euro.

Këto mjete financiare deri më tani iu janë dedikuar familjarëve, ndërsa, sipas BQK-së, paraqesin njërën nga komponentët më të rëndësishme të financimit të konsumit në vend.

Muhamet Sadiku nga instituti “Riinvest”, tha se resurset e diasporës së bashku me ndihmat dhe donacionet ndërkombëtare, mbeten burim i fuqishëm i rindërtimit të vendit dhe vendosjes së demokracisë bazike.

Në një moment kur nuk ishte krijuar një platformë për gjenerimin e të ardhurave dhe punësimit, ndërhyrja e diasporës në rindërtimin e shteteve dhe mbështetjes të konsumit të familjeve, ishte domethënës. Kjo kishte dëshmuar për mbizotërimin e solidaritetit ndaj popullit të vet. Tani kontributi i saj duhet të analizohet dhe të nxirren përfundime relevante dhe mësime”, tha Sadiku.

Hulumtimi institutit “Riinvest” për planet e emigrantë për investime të ardhshme në Kosovë vjen në përfundim se vetëm një pjesë e vogël, rreth 11 për qind kanë konfirmuar se janë duke planifikuar të investojnë në Kosovë.

Sipas rezultateve të hulumtimit arsyet kryesore për të mos planifikuar investime ishin mungesa e informacioneve nga ana e institucioneve rreth mundësive të investimit, korrupsionit dhe politikat e pafavorshme fiskale.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxheliu tha se duhet të punohet më shumë dhe Kosova të mos presë nga diaspora vetëm ndihmë sociale, por të ofrojë diçka që potenciali i diasporës të jetë në funksion të zhvillimit.

Në këtë drejtim besoj që do të bëjmë shumë më tepër për të tërhequr potencialin e diasporës i cili është i një rëndësie të veçantë. Ata do të jenë këtu vetëm atëherë kur ne i bëjmë detyrat e shtëpisë. Derisa nuk kemi guximin që të ballafaqohemi me problemet që duhet zgjidhur, atëherë mërgata jonë do të ikë”, thekson Gëxhaliu.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG