Ndërlidhjet

Lufta me strategji kundër narkotikëve


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Kosovës, së fundmi ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të krimit të organizuar, drogave, terrorizmit dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka theksuar se me këtë strategji krijohen mekanizma të nevojshme në pajtim me standardet ndërkombëtare, për luftimin e dukurive negative.

Përmes strategjisë kundër drogave dhe Planit të Veprimit 2012-2017, të miratuar kohë më parë, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjellë me vete kjo dukuri.

Ndër objektivat e dokumentit me 30 faqe vëllim, përmenden ndër të tjera, reduktimi i kërkesës, zvogëlimi i dëmit, parandalimi, edukimi, trajtimi dhe rehabilitimi, si dhe ndjekja e ndëshkimet.

“Ashpërsimi i politikës ndëshkimore si dhe konfiskimi i pasurisë së fituar nga tregtia me drogë”, përmendet si mjet për të zvogëluar kërkesën dhe ofertën, ndërsa parashihet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar “më anët veprës penale të trafikimit me narkotikë”.

Drejtori i drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë në Policinë e Kosovës, Bahri Shala, tha se dokumenti i miratuar nga Qeveria e Kosovës është dokument i rëndësishëm, pasi sipas tij, ai dokument është hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Është një strategji e kompletuar, kanë marrë pjesë ekspertë të fushave të ndryshme edhe përgjegjës të institucioneve të cilët e dinë se sa mund të arrijnë dhe cilat janë obligimet e tyre. Është një strategji me të cilën mund të krenohemi në rajon”, tha Shala.

Plani veprues për zbatimin e kësaj strategjie përmban objektivat e përgjithshme dhe aktivitetet konkrete për realizimin e tyre.

Dokumenti në fjalë nuk është i pari i këtij lloji, pasi që një i tillë ishte hartuar nga ekzekutivi i vendit, në periudhën kohore 2007-2012, por sipas eksperteve dhe zyrtarëve policorë, dokumenti nuk ishte zbatuar shumë në praktikë.

Shala thotë se strategjia re veç se ka filluar të zbatohet.

Strategjia e vjetër 2009-2012 e ka kaluar afatin, kështu që për të mos krijuar vakum në kuptimin e dukurive të drogave, do të thotë, ka filluar zbatimin jo vetëm në Policinë e Kosovës, po edhe në të gjitha institucionet tjera”, tha ai.

Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës, anëtar në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, konsideron se strategjitë si ajo kundër drogës, janë të rëndësishme dhe obliguese që të ndikohet në parandalimin e dukurive negative.

Objektivat dhe ato veprime të cilat nuk kanë mundur të zbatohen me strategjinë e parë dhe planin e veprimit, janë bartë në strategjinë e tashme që do të vazhdojë edhe në ndritën e strukturave të shtetit tonë për të qenë të aftë në drejtim të parandalimit dhe luftimit, por edhe në drejtim të mbrojtjes së viktimave të trafikimit, dhe do ta rrisë cilësinë e punës në të gjitha segmentet e shtetit tonë”,deklaroi Xhelili.

Por, ndryshe mendon nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ai thotë se strategjitë e tilla janë strategji për të fituar kohë dhe për të ndërtuar një imazh, kinse për ta luftuar krimin e organizuar.

Qeveria e Kosovës kishte bërë dikur strategji të tjera, një ndër strategjitë që kishte bërë ishte edhe strategjia për veriun, dhe ja ku është veriu tani. Edhe strategjinë për luftimin e krimit të organizuar nuk do të mund ta aplikojë asnjëherë një qeveri, e cila është e implikuar në shumë prej këtyre krimeve”, tha Selimi.

Në raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, thuhet se Kosova është kryesisht shtet tranzit për drogat që kanë destinacion Evropën, dhe nuk është prodhues narkotikësh dhe policia nuk ka gjetur se në Kosovë rafinohet droga apo ka laboratorë për prodhimin e tyre.

Sidoqoftë, drejtuesit e qendrave për rehabilitimin e përdoruesve të drogave thonë se gjatë viteve të fundit është shënuar ngritje e numrit të rasteve që kanë probleme me keqpërdorimin e drogave të ndryshme.
XS
SM
MD
LG