Ndërlidhjet

SHBA: Obama dhe Romni përgatiten për debatin e parë


Barack Obama (majtas) dhe MItt Romney

Barack Obama (majtas) dhe MItt Romney

Kandidati republikan për president amerikan, Mitt Romney, ka arritur në Kolorado për debatin e parë me presidentin Barack Obama, në kohën kur hulumtimet e opinionit tregojnë se presidenti po udhëheq.

Në një fjalim para votuesve në Kolorado, mbrëmë vonë, zoti Romney, e kritikoi presidentin në fushën e politikës së jashtme.

“Për katër vitet e fundit ne kemi pasur politikë të jashtme të udhëhequr nga presidenti, i cili beson se forca e personalitetit të tij do të ndikoj që njerëzit t’i bëjnë gjërat e drejta”, tha Romney dhe shtoi se “por, ne i kemi parë Ambasadat amerikane në flakë në gjithë botën”.

Këshilltarët e tij thonë se forcimi i kritikës në politikën e jashtme e ka qëllimin për të treguar se do të jet më keq për vendin nëse Obama zgjedhet edhe për një mandat.

Fushata e presidentit Barack Obama i ka vlerësuar si “jokoherente” qëndrimet e zotit Romney në politikën e jashtme.

Jay Carney, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, tha se fjalimet e rivalit republikan “nuk përmbajnë gjëra specifike ose një alternativë”, dhe shtoi se pjesa më e madhe e qëndrimeve të paraqitura të republikanit Mitt Romney “nuk dallojnë nga ajo që presidenti aktualisht po e bënë”.

Para debatit të nesërm, Barack Obama, po përgatitet në një pushimore në Nevada.

Debati i parë zhvillohet të mërkurën në mbrëmje.
XS
SM
MD
LG