Ndërlidhjet

Kosova i ka vijat e kuqe për bisedimet politike me Serbinë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Kosova i ka vijat e kuqe në bisedimet e ardhshme politike me Serbinë, ka deklaruar të martën presidentja Atifete Jahjaga. Gjatë një konference për gazetarë, Jahjaga tha se çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të diskutohen me asnjë shtet tjetër dhe aq më pak me Serbinë.




Në interesimin e gazetarëve se çka nënkupton për të si presidente e vendit deklarata e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme Catherine Ashton se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për vendime të vështira, dhe nëse këto vendime kanë të bëjnë edhe me veriun e Kosovës, Jahjaga tha se nuk do të dëshironte t’i komentonte deklaratat e Eshtonit, por qëndrimi i Prishtinës zyrtare, sipas saj, është se nuk do të shkelen vijat e kuqe në këto bisedime.

Ekzistojnë disa vija apo linja të kuqe të përcaktuara nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës se asnjë çështje e brendshme e shtetit tonë nuk do të jetë temë e diskutimit me asnjë shtet tjetër e aq më pak me Serbinë”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja ritheksoi qëndrimin e Kosovës se bisedimet dhe dialogu janë mënyra më e mirë e rregullimit të marrëdhënieve midis shteteve të rajonit, përfshi edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, në këto bisedime, vijoi ajo, Kosova do të përfaqësohet vetëm si shtet dhe palë e barabartë në tavolinë dhe në asnjë formë tjetër.

Sa i përket palës kosovare ajo tha se është ende herët të flitet se kush dhe në çfarë nivelesh do të organizohet delegacioni i Prishtinës.

Ndërkaq sa i përket asaj si presidente, Jahjaga tha edhe këtë herë se ajo është e gatshme të takohet me cilindo nga presidentët e vendeve të rajonit, duke mos e përjashtuar as takimin me presidentin e Serbisë.

Unë e kam thënë edhe herëve tjera se si presidente e Republikës së Kosovës jam e gatshme që të takohem me çdo homolog timin, gjithmonë duke pas parasysh dhe përmbajtur Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si dy shtete të barabarta, sikurse që bisedojmë edhe me të gjitha shtetet e tjera”, theksoi presidentja Jahjaga.

Duke iu referuar edhe deklaratave dhe fjalorit të ashpër politik që lidershipi serb përdorë në raport me Kosovën, presidentja Jahjaga tha se kjo nuk është diçka e re për Serbinë dhe politikën e saj karshi Kosovës.

Kurse efektet e këtyre deklaratave, sipas saj, bëhen vetëm për konsum të brendshëm politik në Serbi, pasi që Kosova është një shtet i pavarur që pretendon tashmë integrimin e saj në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG