Ndërlidhjet

Suedia thekson mbështetjen për Kosovën


Hashim Thaçi - Kryeministër i Kosovës

Hashim Thaçi - Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Suedi, është pritur sot nga kryeministri i këtij vendi, Frederik Reinfeldt.

Thaçi ka falënderuar kryeministrin suedez për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Suedisë, për mbështetjen në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe për procesin e integrimit të Kosovës në BE.

“Prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është përshpejtimi i agjendës evropiane të integrimit. Në kuadër të këtij procesi, një nga sfidat është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së”, ka thënë Thaçi në takim.

Sipas tij, Kosova është e përkushtuar që t’i normalizojë edhe marrëdhëniet me Serbinë përmes dialogut si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Në takim mësohet të jetë biseduar edhe për bashkëpunimin dypalësh dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në sferën ekonomike.

Kryeministri i Suedisë, Reinfeldt, ka thënë se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë.

Ai ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe se ndarja nuk është opsion.

Në Stokholm, Thaçi ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të Suedisë.
XS
SM
MD
LG