Ndërlidhjet

BE s’do të flasë për ndonjë dialog politik


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Edhe pse janë shtuar zërat për nisjen e një dialogu politik në mes të Prishtinës e Beogradit të ndërmjetësuar nga Brukseli, ky i fundit insiston në natyrën teknike të fazës së ardhshme të procesit.

Timonin udhëheqës në vazhdën e bisedimeve pritet ta marrë vet shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila u kërkoi palëve, ditë më parë, të bëhen gati “për marrjen e vendimeve të vështira”.

Por, në zyrën e Ashtonit thonë se nuk bëhet fjalë për ndonjë dialog politik.

Zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq, i tha Radios Evropa e Lirë se po punohet në krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut.

E pyetur nëse bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut teknik apo lansimin e një dialogu politik, ajo u shpreh:

Ky është një dallim që po e bëni ju. Dialogu është mbajtur gjithnjë nën kornizat e Përfaqësueses së Lartë dhe të Zëvendëspresidentes, Catherine Ashton”, tha ajo.

Kocijançiq theksoi se është bërë përparim i dukshëm në zbatimin e një varg marrëveshjesh nga gjithsejtë shtatë sa janë arritur gjatë nëntë raundeve të takimeve që kanë zhvilluar palët.

Prishtina zyrtare e kishte përmendur zbatimin e këtyre marrëveshjeve si parakusht për vazhdimin e procesit, me theks të veçantë te marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, protokolli për të cilën është nënshkruar tashmë nga pala serbe.

Edita Tahiri
Edita Tahiri
Duke folur për këtë çështje, shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, shfaqi bindjen se dialogu mund të vazhdojë së shpejti.

Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit është një prej kushteve kryesore.Nëse ndodh zbatimi dhe mund të ndodhë shpejt, sepse grupet e ekspertëve - edhe të Kosovës, edhe të Serbisë e të Bashkimit Evropian, kanë gjetur metodologjitë të vendosjes së shpejtë të ndërtesave të përbashkëta apo punëve të tjera operacionale në mënyrë që të ndodhë zbatimi dhe të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut teknik”, tha ajo.

Tahiri, megjithatë, shprehu pakënaqësitë e saja rreth dinamikës së zbatimit të të gjitha marrëveshjeve.

Ajo tha se pavarësisht takimeve të rregullta të grupeve punuese, Beogradi ka vazhduar të mos jetë i interesuar në realizimin në praktike të marrëveshjeve të arritura.

Ne nuk jemi të kënaqur as me dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve e as me kualitetin e zbatimit. Dëshira dhe insistimi ynë është që pala serbe t’i kryejë obligimet zbatuese sa më shpejt”, theksoi Tahiri për të shtuar se në agjendën e takimeve të ardhshme me palën serbe pritet të figurojnë çështjeve e dëmeve që i janë bërë trashëgimisë kulturore e fetare gjatë kohës së luftës, të pagjeturit dhe energjia e telekomunikacioni.

Mbi këto dhe çështjet që ndërlidhen me dialogun, zyrtarët në Beograd të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, hezituan të komentojnë, por javëve të kaluara është bërë gjithnjë e më i qartë interesimi i shtetit serb për të ecur përpara me procesin.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet palëve u bë emërues i përbashkët i deklarimeve publike të zyrtarëve të lartë politikë në Kosovë e Serbi.

Duke folur për nisjen eventuale të një dialogu politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit zëvendëskryeministrja Tahiri vuri në pah nevojën për arritjen e një konsensusi “të gjerë politik në Kosovë”, meqë do të bëhej fjalë për një proces që prek “interesin kombëtar të vendit”.

Paralajmërimi për kalimin në nivel politik të dialogut teknik me temë kryesore çështjen e veriut të Kosovës ishte bërë edhe nga ndërmjetësuesi i deritashëm i dialogut Prishtinë - Beograd, diplomati evropian Robert Cooper.
XS
SM
MD
LG