Ndërlidhjet

Krasniqi: Kuvendi të kërkojë ndihmë nga SHBA dhe BE për ndaljen e privatizimit


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë, është diskutuar të mërkurën në Kuvend - diskutime këto, të cilat janë shoqëruar me debate të nxehta ndërmjet ligjvënësve.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë seancës plenare të së mërkurës ka kundërshtuar mënyrën e privatizimit në Kosovë, duke thënë se autoritetet nuk kanë bërë përpjekje për t'i përmirësuar mangësitë e shënuara.



Krasniqi, madje, ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për ta ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend.

“Mungesa e ligjeve të mira, ekzistimi i liderëve mbi ligjin, së bashku me krimin e organizuar, janë argumente të fuqishme se privatizimi nuk po bëhet për të mirën e publikut ”, është shprehur kryeparlamentari Krasniqi.

Kjo legjislaturë, sipas Krasniqit, ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura, institucionet pastaj kanë dalë prej atyre zgjedhjeve dhe, si të tilla, nuk e kanë legjimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike.

“Ne, tash, pas rastit të hotelit ‘Grand' po e dimë se ka pasur sekserë, të cilët kanë kërkuar miliona para, por tash duhet kërkuar kush është boss-i privatizimit”, ka theksuar Krasniqi.

Rasti “Grand”, të cilit i referohet kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka të bëjë me procesin e shoqëruar me akuza për afera korruptive të privatizimit të këtij hoteli në Prishtinë, proces ky ku janë përfshirë edhe emra të lartë udhëheqësish të institucioneve.

“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pasur truproja, që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia, prokuroria dhe hetuesia”, ka theksuar Krasniqi.

Dino Asanaj, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe njëherësh shtetas amerikan, sipas raportit të mjekëve ligjorë në Kosovë, kishte bërë vetëvrasje më 14 qershor 2012, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë.


Inicimi i debatit

Ky debat është iniciuar nga shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, sipas të cilit, procesi i privatizimit ka dëmtuar rëndë zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk ka sjell asnjë rezultat pozitiv.

Sipas tij, disa ndërmarrje tashmë të privatizuara nuk funksionojnë, disa kanë ndërruar veprimtarinë, kurse ato që punojnë e kanë zvogëluar në masë të madhe numrin e punëtorëve. Ky proces, ka thënë Ymeri, ka lënë të pa punë 76 mijë punëtorë.

“Qëllimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, ka qenë të shkatërrohet prona, me qëllim që të shitet më lirë, jo të zhvillohet ekonomia e vendit”.

“Pastaj, kur vendoset për privatizim, të shitet jo përmes një procesi që do t’i shërbente së mirës së përgjithshme, por përmes një procesi që i shërben së mirës partikulare të politikanëve të inkuadruar në të”,
ka thënë Ymeri.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se sektori privat dhe privatizimi nuk shkatërrojnë ekonominë. Politikat jo të favorshme, qasja centralizuese dhe tendenca racionalizuese, ka thënë ai, e shkatërrojnë ekonominë dhe e fundosin për gjenerata e gjenerata.

“Unë jam shumë i bindur se të gjithë ata njerëz, të cilët nuk e përkrahin ekonominë e tregut, të cilët propagandojnë ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar - të gjithë ata, të cilët fatkeqësisht po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, të gjithë ata të cilët po dezinformojnë popullin dhe po bëjnë fushatë politike, këtë po e bëjnë në dëm të zhvillimit ekonomik, në dëm të mirëqenies së qytetarëve, në dëm të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Dhe, fatkeqësisht, janë në anën e gabuar edhe politike edhe ekonomike”, ka thënë Beqaj.

Edhe Teuta Sahatçia, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka quajtur të dështuar dhe me shumë pasoja për zhvillimin ekonomik, procesin e privatizimit.

“Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore tani mund të konsiderohet si një proces gati i përfunduar. Ne tani mund të analizojmë efektin e këtij privatizimi, të marrim masa që ndërmarrjet publike që janë në fazën e përgatitjes për privatizim, të mos përcillen me mangësi dhe pengesa sikur ndërmarrjet shoqërore deri më sot”, është shprehur Sahatçia.

Donika Kadaj- Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që procesi të ndërpritet pasi nuk ka qenë transparent, madje, sipas saj, është bërë zhvlerësim i pronave në vend.

“Si i tillë duhet të ndërpritet menjëherë, në të kundërtën ne do të përfundojmë me falje dhe investitorë që për qëllim nuk kanë qëndrimin afat-gjatë dhe zhvillimin, por kanë qëllim marrjen dhe ikjen sa më të shpejtë të pasurisë së vendit, gjatë transformimit nga sektori publik në atë privat”, ka theksuar Kadaj- Bujupi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ua ka përkujtuar deputetëve nenin 10 të Kushtetutës, për ekonominë e lirë të tregut. Thaçi ka folur për ecurinë e procesit që nga viti 2001 kur udhëhiqej nga UNMIK-u, i cili merrte të gjitha vendimet ekzekutive, duke thënë se i tërë spektri politik e kishte përkrahur privatizimin.

Thaçi ka theksuar se për t’i ikur “politizimit”, Qeveria nuk ka dashur të përfshijë ministra në bord dhe se bordi i ka raportuar vazhdimisht Kuvendit.

“Dëshiroj të theksoj se nga viti 2001-2008 UNMIK-u ka qenë përgjegjës për këtë proces. Ne, si Qeveri, kemi udhëhequr vetëm procesin e koncesionimit të aeroportit dhe privatizimit të distribucionit, që janë më të mirat në rajon”, ka thënë Thaçi.

Deputeti Visar Ymeri, paraqiti një mocion, të hartuar bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilit kërkuan që Kuvendi të marrë vendim që procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike të pezullohet derisa të plotësohen disa kushte; vendimi për privatizim të PTK-së të sillet në Kuvend, të rishikohet strategjia energjetike e Kosovës, i tërë aranzhmani për privatizim të KEDS-it të rishqyrtohet, dhe të përgatitet një strategji për shfrytëzimin e mjeteve të mbledhura nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

Por, Adem Grabovci, në emër të koalicionit qeverisës, paraqiti një rezolutë, përmes së cilës kërkoi që në harmoni me vendimet e Qeverisë dhe Kuvendit, Qeveria të vazhdojë procesin e privatizimit, që AKP-ja të vazhdojë krijimin e ndërmarrjeve të reja dhe Fondi i Mirëbesimit të ofrohet në funksion të zhvillimit ekonomik, dhe që Kuvendi të vazhdojë monitorimin e procesit.

Votimi për këto dy dokumente u shty për seancën e së enjtes, pasi që kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se dokumentet janë paraqitur vonë dhe se nuk janë përkthyer në gjuhët zyrtare.

Kohëve të fundit, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është kundërshtuar privatizimi i ndërmarrjeve publike, duke përfshirë këtu Postë-Telekomin, Korporatën Energjetike të Kosovës dhe kombinatin “Trepça”.
XS
SM
MD
LG