Ndërlidhjet

Muralet e mbuluara qe tetë vjet


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Muralet në Kuvendin e Kosovës, të cilat ishin vendosur para tetë vjetësh, për t’u mbuluar menjëherë pas ekspozimit në kohën e legjislaturës së parë, edhe pas fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën, ato ende mbeten çështje për të cilat nuk është ndërmarrë më asgjë.

Drejtuesit e Kuvendit të Kosovës thanë të mërkurën se për zbulimin e muraleve ose jo, duhet që paraprakisht kjo çështje të diskutohet në kryesinë e Kuvendit dhe të merret një vendim.

Mirëpo, deputetët e Kuvendit të asaj kohe, konsiderojnë se muralet duhet të zbulohen ose të largohen fare.

Muralet qenë mbuluar me kërkesën e deputetëve të atëhershëm të komunitetit serb, të cilët konsideronin se ato kishin përmbajtje një-etnike.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani konsideron se muralet duhet të zbulohen, në të kundërtën dëshmohet se institucionet e vendit janë të pafuqishme në mbrojtjen e identitetit dhe integriteti të Kuvendit.

Janë mbuluar pikërisht ato piktura të cilat janë pikturat më të mira që i japin një kuptim edhe jetës, dhe ndjenjave e krenarisë tonë. Ato janë mbuluar për shkak të nevojave politike për mos t’i ngjallur ndjenjat e urrejtjes të serbët. Nëse ato nuk zbulohen, ne tregojmë që jemi të pafuqishëm në zhvillimin tonë, në mbrojtjen tonë, dhe në mbrojtjen dinjiteti dhe integriteti të Kuvendit”, tha Hasani.

Muralet e mbuluara paraqesin momente të historisë së popullit shqiptar.

Deputeti i asaj kohe, Eqrem Kryeziu tha të mërkurën se veprimet e asaj kohe nga drejtuesit e Kuvendit, për të pasur konsideratë për komunitetin serb, kanë qenë të tepruara.

Pikturat besoj se janë të pafajshme. Nëse janë artistike ato piktura, unë kishka kërkuar mirëkuptim nga pakicat e tjera. Unë do të rekomandoja një maturi, por edhe për të larguar absurditetin e mbulimit të pikturave. Vlejtën ose nuk vlejtën gjë, si piktura, si murale e kam fjalën, ato me të vërtetë do të duhej të rregullohen disi”, tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, Petar Miletiq nga Partia e Pavarur Liberale, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se nuk e di se çka përmbajnë ato piktura.

Ai thekson se ajo çka di është çfarë është thënë nëpër media nga kohët më hershme, se në ato fotografi mund të ketë përmbajtje që mund të jenë fyese për serbët.

Sidoqoftë, do të ishte mirë ta di se çfarë ka; nëse ka diçka fyese, diçka që do të mund ta lëndonte ndjenjat e cilitdo komunitet, jo vetëm të atij serb, atëherë duhet të jenë të mbuluara”, tha Mileqit, duke ripërsëritur sërish se nuk ka njohuri se çfarë ka në muralet e vendosura, e pastaj të mbuluara, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Planifikimit Hapësinor, deputeti Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se nuk ka arsye që muralet në hollin e Kuvendit të Kosovës të mbesin të mbuluara.

Mendoj se duhet të zbulohen nëse tani janë konform shijes dhe kohës. Të drejtën t’ua them, unë gati se nuk i mbaj mend se ka kaluar një kohë e gjatë që janë mbuluar. Arti në Kuvend duhet të zbulohet. Çfarëdo që të jetë, duhet të reflektojë me jetën në Kosovë. Fundi i fundi, është koha të zbulohen, dhe nëse na pëlqejnë i mbajmë, e nëse nuk na pëlqejnë, bën edhe t’i ndërrojmë, se nuk janë vepra që kush e di se sa të vlefshme të artit që kushtojnë me miliona”, tha deputeti Gjini.

Që nga ajo kohë, e deri më sot, ende nuk është bërë e ditur, se në bazë të çfarë komisioni dhe me çfarë kriteri, janë vendosur ato piktura pasi që nga disa kritikë arti ato madje janë cilësuar si kopje të thjeshta.

Disa deputetë kanë deklaruar kohë me parë se muralet e Kuvendit të Kosovës duhet të përmbajnë simbolika, të cilat kanë të bëjnë me artin modern - me artin, të cilin e kuptojnë të gjithë.

Muralet në Kuvendin e Kosovës janë vendosur në shkurt të vitit 2004.
Brenda një kohe të shkurtër, me ndërhyrjen e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Hari Holkeri, muralet ishin mbuluar, për të mbetur të tilla edhe sot.
XS
SM
MD
LG