Ndërlidhjet

Gjykata Supreme konfirmon dënimet e shqiptuara për rastin e lumit Tisa


Ilustrim

Ilustrim

Një trup gjykues në Gjykatën Supreme i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe tre vendas, dhe i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara në emër të shtatë të pandehurve për rastin e lumit Tisa, dhe i vërtetoi të gjitha dënimet me burgim.

Trupi gjykues e ndryshoi sipas detyrës zyrtare aktgjykimin e shkallës së parë në lidhje me kualifikimin juridik të veprave, por mori vendim që të pandehurve të mos ju ndryshohen dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin e shkallës së parë si në vijim: Avni Hajdari, Shpejtim Ademaj, Ismail Krapi dhe Shaip Selmani shpallen fajtorë për veprën penale të krimit të organizuar, në lidhje me veprën e kontrabandimit të emigrantëve. Ndërsa Fatmir Pajaziti, Xhemajl Halilaj dhe Blerim Ademaj shpallen fajtorë për veprën penale të kontrabandimit të emigrantëve.

Të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë për rolin e tyre në vdekjen tragjike të pesëmbëdhjetë personave, të cilët në tetor të vitit 2009 u mbytën në lumin Tisa, mes Serbisë dhe Hungarisë.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar Avni Hajdarin me një dënim të përgjithshëm prej 19 viteve burgim dhe gjobë prej 250.000 euro. Shpejtim Ademaj ishte dënuar me dënim të përgjithshëm prej 17 viteve burgim dhe gjobë prej 200.000 euro. Fatmir Pajaziti ishte dënuar me shtatë vite burgim dhe Xhemajl Halilaj ishte dënuar me kusht me dy vite burgim. Ismail Krapi dhe Shaip Selmani ishin dënuar me nga tetë vite burgim. Blerim Ademaj ishte dënuar me dënim të përgjithshëm prej pesë viteve burgim, njofton zyra për informim e EULEX-it.
XS
SM
MD
LG