Ndërlidhjet

Kacin dënon ndalimin e paradës së homoseksualëve në Beograd


Jelko Kacin - Raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë
Jelko Kacin - Raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin deklaroi se vendimi i sotëm i Qeverisë së Serbisë për ndalimin e paradës së homoseksualëve, e planifikuar të mbahet të shtunën në Beograd, ishte një vendim politik, që e vë në pikëpyetje sundimin e ligjit në Serbi.

“Jam i bindur se shteti ka mundur të ofrojë siguri për të gjithë pjesëmarresit, sikur të ekzistonte vullneti”, ka thënë Kacin.

Ministri i Brendshëm i Serbisë njoftoi sot se parada e homoseksualëve është ndaluar bashkë me të gjitha aktivitetet e tjera publike.

Në deklaratën e Ministrisë thuhet se këto aktivitete janë ndaluar për të parandaluar çrregullime të mundshme, si dhe për të mbajtur sigurinë për të gjithë qytetarët dhe të huajt në Beograd.

Një nga organizatorët e paradës, Goran Milletiq, e ka dënuar këtë ndalesë dhe i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo gjë dëshmon “ unitetin e qeverisë dhe huliganëve”.

Më herët gjatë ditës, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Irinej u bëri thirrje autoriteteve që ta ndalojnë paradën, duke thënë se është kundër traditave serbe.

Në vitin 2010, disa persona ishin lënduar dhe arrestuar nga nacionalistët e krahut të djathtë dhe huliganët, pasi ishin sulmuar në paradën e homoseksualëve në Beograd.

Autoritetet kishin ndaluar ngjarjen e vitit të kaluar për të parandaluar trazirat e mundshme.
XS
SM
MD
LG