Ndërlidhjet

Turqia autorizon operacionet ushtarake në Siri


Turqi...
Turqi...
Parlamenti i Turqisë ka autorizuar operacionet ushtarake përtej kufirit në shtetin fqinj të Sirisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, tha se ligji i aprovuar të enjten i jep autoritet qeverisë që për një vit të dërgojë trupa në Siri, apo të vazhdojë me bombardimet ajrore.

Vendimi erdhi pas një seance të jashtëzakonshme, pas bombardimeve të së mërkurës të Sirisë në tokën turke, si pasojë e të cilave mbetën të vrarë pesë civilë turq, përfshirë dy gra dhe tre fëmijë.

Turqia tashmë është kundërpërgjigjur, me lansimin e sulmeve artilerike kundër caqeve në pjesën kufitare brenda Sirisë, duke shënuar herën e parë që shtihet në Siri gjatë kryengritjes 18 mujore kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Pas votimit, zëvendëskryeministri turk, Besir Atalay tha se “ky vendim nuk nënkupton luftë, por ka qëllime parandaluese”. Ai tha se prioritet është veprimi në bashkëpunim me trupat ndërkombëtare.

Atalay tha se Siria ka pranuar se është përgjegjëse për të shtënat në Turqi dhe ka kërkuar zyrtarisht falje për vdekjet.

Moska, aleatja e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, ka kërkuar nga Siria që publikisht të deklarojë se granatimi ka qenë aksidental dhe se nuk do të përsëritet.

Duke folur në Islamabad, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se të dy palët duhet të ulin tensionet:

“Dua të shfaq shpresën se edhe autoritetet siriane edhe ato turke, trupat e tyre relevante, do të krijojnë një kanal komunikimi duke marrë parasysh tensionet në kufirin e tyre të përbashkët”, u shpreh Lavrov.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet gjatë së enjtes, pas kërkesës së Turqisë që kjo organizatë të ndërmarrë “veprimet e nevojshme” për ta ndalur “agresionin sirian”.

Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Sirisë, që ta respektojë integritetin territorial të fqinjëve të saj.

NATO ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se “vazhdon t’i qëndrojë pranë (vendit anëtar) Turqisë dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të akteve agresive kundër një aleati”.

Deklarata u bë pas një takimi urgjent të kërkuar nga Turqia për ta informuar aleancën mbi sulmin artilerik të Sirisë.

Barbara Zanchetta, një eksperte e sigurisë në Qendrën për Siguri Politike në Gjenevë tha se Ankaraja është duke e ndërtuar rastin për t’i kërkuar aleatëve të NATO-s për ta mbështetur atë, po qe se Turqia zgjedh të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Sirisë.

Por, ajo tha se një mbështetje e tillë, që duhet të jepet me konsensus të anëtareve tjera të NATO-s, nuk duket se do të jetë e menjëhershme.

“Turqia ka thënë qartë se ky është një akt agresioni dhe në të njëjtën kohë mendoj se ajo që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe sekretarja Klinton dhe të tjerët kanë thënë është se ata kanë shprehur mbështetjen për Turqinë, por ata nuk kanë lënë të kuptohet se do të përfshihen direkt”, tha Zanchetta.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar veprimet e Sirisë.

Në Kajro, kreu i Ligës Arabe, Nabil al-Arabi, ka paralajmëruar se tensionet kufitare mes Turqisë dhe Sirisë “implikojnë kërcënim të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”.

Qyteti turk Akcakale është qëlluar disa herë nga Siria në javët e fundit.

Në qershor, qeveria siriane ka rrëzuar një aeroplan ushtarak turk, i cili ra në ujë, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve.

Në të kaluarën, ushtria turke ka hyrë në Irakun verior në ndjekje të militantëve kurdë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG